I pari autor i jetëshkrimit të Skënderbeut ka qenë Martin Barleti, i cili jetonte në nji kohë me fatosin tone kombëtar. Barleti ishte nji prift katolik nga Shkodra që pat rastin me njoftë disa nga prijësit luftarak t'asaj kohe, të cilët I kallzuen gjithçka dinin mbi trimnit dhe fitoret e të parit të tyne, Gjergj Kastriotit. Ai kishte pasë gjithashtu mundësin me studjue dokumentet zyrtare të arkivit të Venedikut, ku kishte shkue me jetue mbas pushtimit të Shkodrës prej Turqve. Biografin e Skënderbeut ai e shkrojti në gjuhën latine dhe e botoi në Romë në fillim të shekullit të XVI. Nji shekull ma vonë, G.Bienuni, nji prift italian nga Brescia, gjeti nji tjetër biografi të Skënderbeut të shkrojtun prej nji auktori anonim prej Tivari, të cilin Imzot Fan Noli e pagësoi Tivarasi. Dorëshkrimi origjinal i veprës së Tivarasit, që mbante datën 1480, ka humbë përjetë dhe njifet vetëm nga referencat dhe citatat që përmban libri i Biemmit "Istoria di Giorgio Castrioto Scander-Begh".
Nji burim i tretë origjinal mbi jetën e Skënderbeut asht Gjin Muzaka, i cili ishte nga familja sunduese feodale e Beratit dhe luftoi krahpërkrah me Skënderbeun. Ai jetoi në Shqipni edhe 11 vjet mbas vdekjes së heroit t'onë dhe mandej u vendos në Napoli. Atje shkrojti "Historin dhe trashëgimin brez mbas brezi të familjes së Muzakëve", ku kallzon historin e Skënderbeut si nji gja që ka dishmue ai vet.
Në shekullin e XIX, dijetarë të kombësive të ndryshme, tue lanë menjianë veprat e shumta që ishin shkruejtë gjatë dy shekujve të maparshëm, u kthyen përsëri në burimet origjinale që ishin mbyllë në
arkivat e Vatikanit, Venedikut, Raguzës dhe Stambollit. Zbulimet e tyne kanë shtie nji dritë të re mbi jetën dhe veprat e Skënderbeut. Disa e përmendin në vepra të përgjithëshme dhe fort të gjata që shkruejtën mbi shekullin e zaptimit të Balkanit nga Turqët. Disa të tjerë si Anglezi Clement Moors, Francezi Camille Paganel, Gjermani Z. Pisko, shkruejtën biografi të gjata të Skënderbeut. Por punën ma të madhe dhe ma të vlefshme e bane eruditët Thalloczy, Jireçek dhe Shufflay, të cilët mblodhën së bashku dhe botuen nji koleksion dokumentash që përbajnë nji vepër monumentale mbi Shqipnin e asaj kohe. Ma në fund, iu erdhi radha Shqiptarve. Mbas luftës së parë botnore, Imzot Fan Noli botoi "Historin e Skënderbeut", e cila gëzoi menjiherë nji popularitet të jashtëzakonshëm dhe u mësue gadi përmendsh nga nxanësit e shkollave në atdheun e lirë. At Martin Sirdani mblodhi dhe botoi gojëdhanat e popullit mbi Skënderbeun. Më 1937 Thanas Gegaj i parashtroi Universitetit të Louvain në Belgjikë nji thezë doktorati në gjuhën frengjishte me titullin "L'Albanie et l'invasion turque au XVëme siëcle". Kjo u botue në formë libri me shpenximet e Universitetit. Mbas luftës së dytë botnore, pikërisht më 1947, Fan Noli botoi nji histori të Skënderbeut në gjuhën anglishte. Kjo asht nji vepër shkencore e nji niveli shum të naltë, sidomos për shënimet kritike mbi veprat e auktorve të shumtë që kanë shkruejtë mbi Skënderbeun, ashtu edhe mbi personalitetet dhe ngjarjet historike që kanë pasë lidhje me epopën tone kombëtare. Dobija ma e çmueshme e kësaj vepre qëndron në orvatjen e auktorit me dallue faktet nga legjendat dhe paragjykimet. Mjerisht, tue dashtë me interpretue ngjarjet historike mbas theoris marksiste, Imzot Noli sikur mundohet me e futë Skënderbeun në kallëpin e nji shefi gueriljesh të kohës sonë. Nga ana tjetër tue dashtë me korrigjue nji tregim të Barletit që i duket i gabuem, ai jep nji versjon të tijën që prish ndoshta nji legjendë, por nuk duket ma i bindëshëm.
Sidoqoftë, unë nuk kam pasë, as mjetet, as kohën me i studjue vet burimet origjinale. Prandaj e them menjiherë se ky kapitull asht bazue në veprat e Imzot Fan Nolit dhe të Thanas Gegajt me farë pak shtesa ose ndryshime nga burime të tjera.
Kthimi ne Kruje
Gjergj Kastrioti, që muer famë me mbiemrin Skënderbe, ishte djali ma i vogël i Gjon Kastriotit, kryetari i nji prej familjeve princore ma të fuqishme të Shqipnis së Mesme. Gjergj Kastrioti lindi në Kruje më 1405, mbas biografis së Barletit, më 1412 mbas mendimit të Fan Nolit. Legjenda popullore, që u thur mbas gojëdhanës, thotë se e ama, Princesha Vojsava, kur priste fëmijën pa në andërr se i dha jetë nji dragoi që ishte i madh sa e tanë Shqipnija dhe përpinte Turqët me shumicë. Gjergji kishte, kur lindi, shenjën e nji shpatë në krahun e djathtë. Që i vogël ai tregoi nji interesim të çuditshëm për armët e luftës dhe i pëlqente me luejtë si ushtar me vllaznit dhe me djemt e tjerë të moshës së tij.
Mbas disfatës që pësoi nga dora e Turqve më 1423, Gjon Kastrioti u detyrue me i dërgue Sulltanit si peng të katër djemt e tij. Barleti shkruen se Gjergji ishte vetëm 6 vjeç. Kurse shifrat që dhamë ma sipër tregojnë se duhet të kenë qenë 18, domethanë nji djal që kuptonte nga bota dhe që nuk mund të asimilohej* krejt në ambjentin e ri të Oborrit të Sulltanit. Biografët ma të vjetër janë dakord se Skënderbeu kaloi gadi 20 vjet si peng në duert e Turqve para kthimit të tij dramatik në Krujë më 1443. Domethanë se ishte nji burrë i pjekun 38 vjeç kur ngriti flamurin e luftës së shenjtë kundër shkelësit otoman. Tue shkelë zotimin që kishte dhanë, Sulltan Murati detyroi të katër djemt e Kastriotit të pranojnë fën muhamedane. Mandej, iu ndërroi emnat tur quejtë Gjergjin Isqender-Bej, që u kthye shqip në Skënderbe. Ky asht një emën simbolik që iu dha Skënderbeut për kujtim të Lekës së Madh, tue qenë se nuk ekziston ndër emnat muslimane.
Në oborrin e Sulltanit Skënderbeu u vue në shkollën e kadetve të Pallatit. Përveç truqishtes ai mësoi edhe disa gjuhë të tjea dhe sidomos italishten. Arti i luftës zgjoi interesimin e tij ma të madh. Porsa ishte në moshë me përdorë armët, ai u çque në lojnat ushtarake në mes të gjith vërsnikve të tij. Shpata ishte arma e tij ma e preferueme, dhe vrapimi maj kalit sporti që i pëlqente ma tepër. Nga pamja fizike ishte i gjatë, me nji trup të derdhun prej statuje, me sy që shkëlqenin nga gjallnija dhe zgjuetija dhe nji hijeshim burrnor të mahnitshëm. Sulltan Muratit i kishte ba përshtypje shkathtësia e tij mendore dhe mjeshtërija e përsosun në garat me armë. Ai e muer me simpathi dhe e la të jetonte, ndërsa vllaznit e tij duket se u mbytën në nji mënyrë që nuk dihet mirë.
Skënderbeu u ba komandant kavalerije në ushtërin otomane dhe muer pjesë në disa luftra të Sulltanit n'Evropë dhe n'Azi. "Në rrethimin e nji fortese n'Anadoll, - shkruen Fan Noli, - Skënderbeu, si Leka I Madh, u ngjit majë murit, ngriti sanxhakun dhe hyni i pari në qytet". Mbas çdo spedite Skënderbeu kthehej ngadhnjyes dhe sillte n'Edrenë robër dhe plaçkë pa masë. Fama e tij rritej dita-ditës; ushtërija e adhuronte; komandantët e tjerë e kishin zili.
Ndërsa Skënderbeu ishte në oborrin e Sulltanit, lufta kundër Turqve vazhdonte akoma në Shqipni. Sikur e pamë, më 1432, Andreja Topija korri nji fitore të madhe, e cila pat si pasojë nji kryengritje të përgjithëshme prej Shkodre në Gjinokastër. Tri ushtëri të tjera që Sulltani dërgoi kundër Shqipnis tre vjet me radhë u shkatërruen dhe u kthyen në Edrenë pa e krye qëllimin. Suksesi ua shtoi guximin Shqiptarve, të cilët sulmuen garnizonin turk të Gjinokastrës. Atëherë Sulltani dërgoi nji ushtëri të zgjedhun ndën komandën e Isak Beut nga Shkupi. Shqiptarët u kapën në mes të dy zjarreve dhe pësuen nji disfatë të plotë. Megjithatë, orvatja e Turqve me zaptue Beratin me 1438' u përpoq në nji rezistencë shqiptare të pathyeshme.
Duket sikur Gjon Kastrioti kishte qendrue larg këtyne luftrave tue respektue detyrimet që kishte marrë kundrejt Sulltanit. Prapseprap, kur vdiq në vitin 1443, Sulltan Murati nuk ia dijti për nder qëndrimin e tij korrekt dhe të paanshëm, por aneksoi menjiherë principatën e tij dhe dërgoi nji guvernator turk në kështjellën e Krujës. Skënderbeu, i cili kishte mbetë si I vetnu trashëgimtar i shtëpis së Kastriotve, u helmue fort nga kjo pabesi. Ai u betue me vehte se nuk do të linte që kjo grabitje të kalonte pa dënim dhe se do të çkëpuste pronat e familjes nga thonjtë e uzurpatorit. Rastin e volitshëm për të prue betimin e tij në vend Skënderbeu e gjeti më 1443. Ai ishte tue marrë pjesë në nji speditë ushtarake drejtue kundër Kristianve t'Evropës, të primun prej Vojvodës së Hungaris, Jonash Hunjadi. Beteja ndërmjet të dy ushtërive u zhvillue në Konovicë afër Nishit. Skënderbeu, i cili komandonte nji krah të ushtëris turke, pushoi së luftuemi dhe Hunjadi duel fitues. Skënderbeu, i cili kishte ba mend me u kthye në atdhe për të librue tokat arbnore, detyroi qatipin e Sulltanit me i dhanë nji ferman për guvernatorin e Krujës që t'i dorzonte kështjellën. Porsa mërrijti në Krujë, Gjergj Kastrioti u kthye në fen e të parve dhe proklamoi luftën e shenjtë kundër invaduesve muhamedan. Ky epizod dramatik i kthimit të Skënderbeut në Krujë, asht përshkrue në historin e Barletit dhe asht përjetsue në vjershën "Skanderbeg" të poetit amerikan Longfellow. Peshkop Fan Noli shpall se epizodi i kthimit të Skënderbeut në kështjellën historike asht pjella e imagjinatës së Barletit. Pikpamja e tij asht se, mbas kapitullimit të Gjon Kastriotit, Skënderbeu qëndroi pranë babes së tij dhe vetëm kohëmbaskohe shkonte me luftue për Sulltanin në krye të nji fuqije shqiptare.
Kët thezë të rë Imzot Fan Noli e zhvillon në historin anglishte të Skënderbeut që botoi mbas lufte. Po të jet e vërtetë kjo, atëherë del se Skënderbeu nuk u muer peng nga Sulltan Murati. Kurse të gjith auktorët e asaj kohe thonë me siguri se Skënderbeu kaloi disa yjet në oborrin e Sulltanit. Vet Fan Noli nuk e mohon drejtpërsëdrejti kët fakt. Them fakt, sepse përdryshe nuk shpjegohet se si Gjergj Kastrioti muer mbiemnin Isqender dhe titullin bej që ishte atëherë nji gradë në hjerarkin e ushtëris otomane. Nji tjetër pike që mbetet e pashpjegueshme në thezën e Imzot N.olit asht se si Skënderbeu kaloi njizet vjet në Shqipni mbas mundjes së Gjon Kastriotit dhe nuk muer pjesë në luftrat që u zhvilluen në tokën arbnore. 1 vetmi korrigjim me vënd që Fan Noli i ka ba historis së Barletit asht se, kur u muer peng nga Sulltani, Skënderbeu nuk ishte nji çilimi i vogël, por nji djal i rritun në votrën atnore, i cili kishte kuptue tragjedin e atdheut të sulmuen dhe të mposhtun nga nji fuqi e huej.
Vizitor Shkruan: Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar, ku merrnin pjesë delegatë që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare.
Fitoret e rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan. Qysh në fund të tetorit në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në të mirë të aleatëve ballkanikë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik krahas atij të "Shoqërisë së zezë për shpëtim" e të rretheve të tjera atdhetare brenda vendit. Qëllimi i këtij veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi, të ruhej tërësia e saj tokësore e të mblidhej një kuvend kombëtar që do të vendoste për fatin e saj. Nismën për këtë veprim të ri e morën Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi,
Shpallja e Pavarësisë
të cilët mendonin se do të kishin përkrahjen e Lidhjes Tripalëshe. Ata u nisën nga Stambolli dhe arritën në Bukuresht, ku më 5 nëntor 1912 organizuan mbledhjen e kolonisë shqiptare të atjeshme. Aty u vendos të themelohej "një komitet drejtonjës" që të merrte në dorë qeverinë e vendit; të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara qeverive të Fuqive të Mëdha "të drejtat kombëtare e lokale të popullit shqiptar" dhe një komitet në Bukuresht, që do të bashkërendonte veprimtarinë e komiteteve të tjera brenda e jashtë Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë. Mbledhja e Bukureshtit në vendimin e saj nuk përcaktoi qartë nëse do të kërkohej autonomi a pavarësi. Kjo do të përcaktohej, siç duket, nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve dhe nga qëndrimi që do të mbanin kundrejt çështjes shqiptare Fuqitë e Mëdha. Për këtë qëllim Ismail Qemali me shokë shkoi në Vjenë, ku bisedoi me ambasadorin anglez, Berhtoldin, dhe me ambasadorin italian. Gjatë rrugës ose ndoshta në kryeqytetin austriak Ismail Qemali u njoftua për lëvizjen që kishte filluar në Shqipëri për mbledhjen e një kuvendi kombëtar. Ai i deklaroi më 10 nëntor ambasadorit anglez se do të nisej së shpejti për në Vlorë për të marrë pjesë në një mbledhje të krerëve shqiptarë, se shqiptarët ishin të vendosur të ruanin vendin e tyre, se ata do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut për të mos lejuar një copëtim të tij dhe se krijimi i një Shqipërie më vete do të mënjanonte një ndërhyrje të Austrisë dhe të Italisë.
Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri, që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. Berhtoldi e njoftoi Ismail Qemalin se Vjena ishte për një Shqipëri autonome. I tillë ishte edhe opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha. Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare.
Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: "... menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme". Nga Triestja komisionit që ishte formuar në Vlorë për përgatitjen e mbledhjes së kuvendit kombëtar iu dërgua një telegram, me anë të të cilit kërkohej që të merreshin masa për thirrjen e delegatëve.
Ideja e pavarësisë së Shqipërisë dhe lajmi i mbledhjes së kuvendit kombëtar u pritën me entuziazëm të madh në Shqipëri, ku gjetën një truall të përgatitur qysh më parë nga rrethet atdhetare të vendit. Këto rrethe kishin vendosur lidhje ndërmjet tyre dhe kishin caktuar Vlorën si qendër ku do të bëhej mbledhja e përfaqësuesve të kombit shqiptar.
Grupi i kryesuar nga Ismail Qemali arriti në Durrës më 21 nëntor. Së bashku me atdhetarët durrsakë ai vendosi të ngrinte në qytet flamurin kombëtar. Por autoritetet osmane, të ndihmuara nga armiku i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhespot Jakovi, arritën, ndonëse përkohësisht, ta pengonin këtë veprim. Komanda turke e Janinës u orvat nga ana e saj ta kapte Ismail Qemalin gjallë ose vdekur, por shumë shpejt u detyrua të hiqte dorë nga ky vendim. Administrata turke në krahinat e Shqipërisë, të papushtuara ende nga ushtritë ballkanike, në përgjithësi nuk ishte në gjendje ta pengonte lëvizjen shqiptare. Ajo i trembej shumë një konflikti të armatosur me shqiptarët, në një kohë kur po ndiqej këmba-këmbës nga aleatët ballkanikë dhe kur e vetmja rrugë tërheqjeje në perëndim ishte Shqipëria.
Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Këtu delegatët e popullit shqiptar u pritën me festë. "Një zjarr i shenjtë patriotizmi, - shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tij, - kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim".
Puna e parë e udhëheqësit patriot qysh më 26 nëntor ishte organizimi i forcave të armatosura. Për këtë qëllim ai ngriti një komision organizues dhe u dërgoi pleqësive të katundeve një qarkore, me anën e së cilës porositeshin të mobilizonin njerëzit e aftë për armë dhe t’i mbanin ata në gatishmëri.
Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja.
Për shkak të përparimit të pandalur të ushtrive serbe, gjendja në Shqipëri po bëhej gjithnjë më kritike. Kjo ishte arsyeja që në mbrëmjen e 27 nëntorit delegatët që ndodheshin në Vlorë, ndonëse nuk kishin arritur ende përfaqësuesit e disa krahinave, vendosën të mblidhnin të nesërmen kuvendin kombëtar.
Më 28 Nëntor 1912, në orën 14, u hap në Vlorë Kuvendi Kombëtar. Në mbledhjen e parë të Kuvendit morën pjesë 37 delegatë, të cilët u shtuan gjatë ditëve që pasuan duke arritur në 63 veta, që përfaqësonin të gjitha viset shqiptare. Pjesa më e madhe e tyre ishin udhëheqës e veprimtarë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Përveç Ismail Qemalit merrnin pjesë Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Sali Gjuka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Vehbi Agolli, Nikollë Kaçorri, Jani Minga, Abdi Toptani, Pandeli Cale, Dudë Karbunara, Lef Nosi, Mithat Frashëri, Mehmet Dëralla, Hasan Hysen Budakova, Ajdin Draga, Sherif efendi Dibra, Dhimitër Mborja, Dhimitër Zografi, Shefqet Daiu, Rexhep Ademi, Dhimitër Berati, Kristo Meksi, Xhelal Koprëncka, Spiro Ilo, Iljaz Vrioni, Hajredin Cakrani, Shefqet Vërlaci etj. Isa Boletini mbërriti me 400 luftëtarë kosovarë më 29 nëntor, i pritur me gëzim të madh nga popullsia dhe nga delegatët e Kuvendit. Nga udhëheqësit e tjerë kosovarë, për shkak të rrethanave të luftës, nuk mundën të merrnin pjesë Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Idriz Seferi, Sait Hoxha etj., që ndodheshin në burgun e Beogradit, si edhe Bajram Curri, i cili, ndonëse u nis për në Kuvend, u pengua nga luftimet gjatë rrugës.
Pjesëmarrja në Kuvend e delegatëve nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke përfshirë edhe ato që ndodheshin të pushtuara nga ushtritë serbe, malazeze e greke, i dha atij karakterin e një asambleje kombëtare mbarëshqiptare. Kjo ishte njëherazi shprehje e vendosmërisë së të gjithë shqiptarëve për t’u bashkuar në shtetin e vet kombëtar, në të cilin do të përfshiheshin të gjitha viset shqiptare.
Kuvendi zgjodhi si kryetar Ismail Qemalin, i cili foli për të kaluarën e Shqipërisë nën sundimin osman dhe për luftërat e shqiptarëve për të fituar të drejtat e tyre. Ai vuri në dukje se në rrethanat e krijuara nga Lufta Ballkanike "e vetmja udhë shpëtimi ishte ndarja e Shqipërisë nga Turqia".
Propozimi i kryetarit u miratua njëzëri nga delegatët, të cilët nënshkruan dokumentin historik për Pavarësinë e Shqipërisë, ku thuhej: "... Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme".
Pastaj u ngrit madhërisht flamuri kombëtar i Shqipërisë përpara mijëra njerëzve që ishin mbledhur jashtë selisë së Kuvendit e që e pritën këtë ngjarje historike me brohoritje entuziaste, ndërsa populli përshkonte duke kënduar rrugët e qytetit, oratorët atdhetarë, si Jani Minga, Murat Toptani etj., me fjalimet e zjarrta evokonin luftërat e popullit shqiptar për liri.
Nga Kuvendi i Vlorës doli gjithashtu qeveria e përkohshme e kryesuar nga Ismail Qemali.
FJALËT E ISMAIL QEMALIT, DITËN E FLAMURIT
"Vëllezër shqipëtarë, sa të lumtur e ndjej veten sot që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqipëtarë të mbledhur tok.... Plot me gas e me lot në sy nga mallëngjimi pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot edhe këtë minute kongresi çpalli mëvetësinë e Shqipërisë tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e tuke me ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohëshme të Shqipërisë së lirë. Porsi ëndrr’ më duket ky ndryshim i madh i vendit tonë që hoqi e voji të zezat e ullirit, pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk por që tani në kohët e fundit ishte gati të jepte shpirtin përgjithnjë të shuhej të shfarosej krejtësisht nga faqja e dheut. Kjo Shqipëri që dikur shkëlqente nga trimëria e pashoqe e bijve të saj: kjo Shqipëri, që kur i kërcënonte rreziku Europës nga pushtuesit e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj Skenderbejnë u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të Sulltanëve më të egër që ka pasur Turqia.
Mirpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë guximin e pashoq të shqiptarëve, sot e tutje të marin fund mjerimet e vuajtjet e atdheut ton’ sepse këtu e kështu, jemi të lirë e të pavarur e me vehte, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arritur kësaj dite të bardhë e ëe madhe na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëve dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë...mirpo mbledhja si më plak që jam m’a ngarkoi mua ngritjen e shenjtë të shenjës tonë Kombëtare, të Flamurit tonë të ëndërruar e të dashur (nxjerr flamurin, të cilin e ka vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël e të pshehur nën pallto dhe pasi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit.) Amatorët posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim dhe me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipëria e Lirë. Ja pra ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjë dykrenare të zezë në mes dhe tani, të gjithë bashkë si një trup i tërë dhe i pandarë le të punojmë për ta mburruar, për ta përparuar e për ta qytetëruar si i ka hije atdhenë tonë të lirë. Tuke përfunduar s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh që, bashkë me bekimet e tij që i lipij ta na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dishmori i parë i atdheut ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë, Flamuri ynë në atdheun tonë të lirë.
Rroftë Flamuri. Rrofte Shqipëria..."
KJO KA NDODHUR NË VLORË, 1912
Gjithçka sipas dorëshkrimeve të bashkëkohësit Dhimitër Beratti. Kush ishte Një reportazh i kohës në ditën e shpalljes së pavarësisë, sipas dorëshkrimeve të Dhimitër Beratit, bashkëkohës i Ismail Qemalit
"...28 Nenduer 1912!
Ditë vjeshte. Qielli i mbuluar me re të rënda plot shi. Tregëtoret janë mbyllur, festa duket ndë sytë e njerëzve të mbledhur këtu aty, të gjithë bisedojnë rëndësinë e ditës dhe të mirat që premton ngjarja e madhe e çpalljes së lirisë.
...Është caktuar ora tre e gjysëm, por të dërguarit e popullit nisen që më tre të zënë fronat radhuar rreth sofrës së gjatë në sallën e jashtëme të shtëpisë së Xhemil beut.
Njeri pas tjetrit hyjnë shumë burra t’ardhur për këtë ditë nga të gjithe viset e tokës shqiptare, gegë e toskë, muhamedanë e të krishterë, delegatë të Kosovës e Çamërisë, të bregut të detit dhe të Shkodrës jetike, të Korçës së bukur e të Malësisë së Gjakovës. Të gjitha krahinat janë përfaqësuar.
Më tre e tridhjete hapet mbledhja. Salla është plot. Në krye të sofrës rri Ismail Qemali. Kurrë nuk është dukur më i ri. Fytyra e tij e ëmbël, fiton me të parë zemrat dhe nderimin e atyre që qarkullojnë. Mjekra e bardhë si dëbora i stolis faqet plot shëndet. Syt’ e kulluar tradhëtojnë me shkëlqimin e tyre gëzimin e thellë që ndjen zemra në këtë çast të madh për historinë e kombit. Afër tij është Don Kacorri gjithmonë i buzëqeshur, me sytë e tij shumë të lëvizshëm kërkojnë miqtë ndër të gjitha këndët e sallës për t’u thënë "n’jatjeta". Aty pranë gjendet Luigj Gurakuqi i cili në këtë çështje është me të vërtetë "dora e djathtë e plakut". Midis të tjerëve që kanë emër më shumë a më pak të famshëm tërheq vërejtjen fytyra e Isa Boletinit. Në fytyrë dhe në shtat Isa begi përmbledh vetijat e shqiptarit dhe jo më pak në jetën e tij shpirtërore. Të pamet luftari gjithmonë i vrenjtur, kurrë si qesh buza pa shaka të rëndë. I gjatë dhe i hollë trupi është i lidhur me dej të hekurt. Ndëgjon shumë dhe flet pak.....s’ngutet. Por askush nuk mund të shikojë Isa begun pa vënë re plakun që rri mba të anë të sofrës. Është Babë Dude Karbunara, delegat i Beratit. Mjekra e tij e gjatë dhe e rrallë e tregon midis të tjerëve si një fytyrë të huaj. Me një shami të kuqe i fshin fshehurazi lotët që rrjedhin kundër vullnetit të tij. Qysh të mos qajë i mjeri plak? Zemra e tij s’mund ta përfshijë gjithë gëzimin e kësaj dite. Një jetë të gjatë e priti këtë çast për të cilin kish predikuar pa dishprim dhe tani e sheh me sy.
-Të falem e zot! - thotë Babë Duda - për këtë ditë të lutesha të ma zgjasje jetën. Tani të pashë mund të mbyll sytë.
Kish kaluar ora tre e tridhjetë, kur u ngrit Ismail Qemali dhe ngadalë me kthjelltësi tregoi qëllimet e mbledhjes. Përshkrimi i vuajtjeve të shumta të popullit shqiptar nën zgjedhë, sajonin fjalët e para të kryetarit. "Populli shqiptar na zgjodhi dhe na dërgoi në këtë mbledhje që të këshillohemi për shpëtimin e atdheut, shpëtimi është një i vetëm: Lirija. Prandaj duke u mbështetur mbi të drejtat e shenjta dhe mbi dëshirën dhe vullnetin e patundun të gjithë popullit na përfaqësonjësit e tij e shpallim Shqipërinë mbretëri më vete, të lirë e të mosvarme. " Një "Rroftë Shqipëria" që del prej kraharorëve i mbulon fjalët e fundit t’Ismail Qemalit. Urimet përsëriten e më s’marrin fund. Një flamur u shfaq në atë çast në mes të odës. Një tjetër flamur i rrëfehet në dritare popullit q’ishte mbledhur n’oborr të shtëpisë. Gëzimi ishte i papërshkruar në fytyra. Shumë qanin... i tërë qyteti kremton, të gjithë shikojnë me shpresë kohën e pastajme dhe telegrafi i lajmëron botës lindjen e një shteti të ri.
Gjergj Kastrioti ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës malazeze Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Mendohet se lindi më 6 maj 1405, u morr peng nga pushtuesit turq që në moshë të mitur dhe u dërgua në oborrin e sulltanit në Adrianopojë. Atje, zgjuarsia dhe shkathtësia e çuan Gjergjin në shkollën e sulltanit (icogllanëve) që përgatiste komandantë e nënpunës.
Natyra i kishte dhënë dhunti mendore e fizike. Atje mori emrin Iskender (Aleksandër). Pas mbarimit të shkollës, Gjergj Kastrioti "(Skënderi)" kreu detyra ushtarake në Ballkan e në Azinë e Vogël, duke u dalluar për trimëri dhe për këtë arsye iu dha titulli bej. Ai nuk e harroi kurrë Atdheun e tij të dashur dhe priste me padurim rastin të kthehej në tokën që e lindi. Për mëse 12 vjet (1426-1438) ishte në Shqipëri. Me vdekjen e të atit, ai shpresonte t'i zinte vendin, por në fakt sulltani e emëroi sanxhakbej jashtë tokave shqiptare.
Megjithatë Skënderbeu nuk hoqi dorë nga ideja për t'u kthyer përfundimisht në Shqipëri, deri në vitin kur ai u nis kundër Janosh Huniadit nën komandën e bejlerbeut të Rumelisë.
Më 3 nëntor 1443 në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar. Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkembja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare.
Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.
Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës.
Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë.
I mbuluar me lavdi, ai u varros në Lezhë. Shqiptarët humbën prijësin e lavdishëm që i udhëhoqi për 25 vjet rrjesht. E shoqja me të birin emigruan, sikurse edhe një pjesë e parisë shqiptare, për në Itali.
[redaktoni] Debat rreth prejardhjes dhe vendlindjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeu
Tek "Sheshi Skënderbeu" në TiranëFatos Daci mendon se Gjergj Kastrioti u lind në Dibër, më 6 maj 1405. Ai argumenton kështu në një artikull në gazetën Shekulli, të datës 22 korrik 2006.
Debatit interesant në Kontaktin e Shekullit, unë i bashkangjis këto fakte në mbështetje të tezës se Skënderbeu është nga Dibra.... Është fakt historik se Skënderbeu u kthye në Shqipëri nga Beteja e Nishit, më 3 nëntor 1443 dhe me 10 nëntor 1443 mbërriti në Dibër.... Ja si e shpjegon Marin Barleti ardhjen e Skënderbeut nga Nishi: "dhe në fshehtësinë më të madhe (pasi braktisi fushëbetejën e Nishit, më 3 nëntor 1443) në të shtatën ditë arriti në Dibër", se "atë vend e njihte dhe e donte shumë Skënderbeu, për besnikëritë dhe trimëritë e shumta dhe të shënuara që banorët kishin treguar për hir të mbretërisë së t’et, Gjonit, kur atij i binte në qafë otomani", prandaj "pothuaj e gjithë rinia, sikur të mos kujdesej për gjë tjetër, i kishte rrëmbyer armët dhe po i shkonte pas Skënderbeut dhe e quajtën shpëtimtar të tyre". Sipas këtij burimi, Gjoni kishte jetuar dhe kishte luftuar së bashku me dibranët dhe jo me të tjerë.
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të RPSSH, veçmas Aleks Buda: "Më vonë (Kastriotët e Hasit – F.D.) i shtrinë zotërimet drejt Jugut, ku Pal Kastrioti, gjyshi i Skënderbeut, zotëronte fshatrat Sinë dhe Gardhi i Poshtëm dhe mandej dy Dibrat". Pra, në këtë kohë Mati nuk ishte zotërim i tyre, se Mati është bërë vonë pjesë e principatës së Kastriotëve... Gjon Muzaka, mik dhe bashkëluftëtar i Skënderbeut, në kujtimet e tij, shpjegon bindshëm se Gjon Kastrioti kishte pasur zotërime të tij vetëm Sinën dhe Gardhin dhe se aty e askund tjetër, lindi Skënderbeu: "Ta dini, se zoti i gjyshit Skënderbej quhej Pal Kastrioti, i cili nuk kishte zotërime të tjera veç Sinës e Gardhin dhe prej tij lindi Gjon Kastrioti dhe prej tij, zoti Skënderbej". Edhe Haki Stërmilli, për historinë e Kastriotëve rreshton gjithë ato argumente bindëse, përse Skënderbeu ishte dibran: Kristo Frashëri: "Në vitet e para të shekullit XV": "Duket, se familja e Gjon Kastriotit banonte herë në Kastriot e herë në Sinë", pra në periferi të Peshkopisë së sotme. Përsëri, humanisti shkodran, Marin Barleti, thotë se: "jo vetëm Skënderbeu, kur u kthye nga Nishi, në Dibër, i njihte dibranët, por edhe dibranët e njihnin Skënderbeun. Prandaj ai u kthye në Dibër pa luftë, si në shtëpinë e tij dhe qysh të nesërmen, në mëngjes, ai u shoqërua nga qindra dibranë për të marrë me dredhi Krujën". Haziz Ndreu, studiuesi dhe mbrojtësi fanatik i idesë, se Skënderbeu pa asnjë dyshim është dibran, në librin e tij Dibra në udhën e historisë, shkruan: "I ati i Gjergjit, Gjon Kastrioti, doli më vonë nga Sina dhe u vendos në Kastriot, ku i kishte mundësitë për t'u zgjeruar më shumë me zotërimet e tij. Në krye të fushës së Kastriotit, ndërtoi kullën që përmendëm më sipër. Si më i aftë, Gjoni filloi menjëherë të fusë në dorë tokat përreth, të zgjerojë pronat e tij, ndërsa familjen vazhdonte ta mbante në Sinë. Më vonë, ashtu siç thuhet edhe në histori, ai e shtriu sundimin e tij në krahinën e Dibrës, pastaj edhe në atë të Matit". Studiuesi Rakip Sinani: "Princi, Gjon Kastrioti, kishte shtëpi banimi në Sinë, kullë në Kastriot dhe vendbanim në kështjellën e Varoshit, të Gurit të Bardhë dhe në Krujë". Flamur Hadri, Prishtinë: "Pikërisht, në lagjen Shërgjerth të fshatit Sinë, lindi më 1405 Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili sipas traditës popullore, u rrit në lagjen Çeliasë të fshatit Kastriot".
Po, kur është shfaqur vendbanimi qytet-kalaja KASTRIOT në Dibër? Të gjithë të tjerët e dinë, që Kastrioti ekziston (në dokumente) që nga shekulli XIII. Fjalori Enciklopedik Shqiptar (botim i Akademisë së Shkencave të Republikës Shqipërisë, viti 1985, thotë në mënyrë të prerë, se Kastrioti "në shekullin XIII ishte pronë e Kastriotëve" (zëri "Kastrioti", fq. 460). Kastriotët u quajtën Kastriotë dhe nuk u quajtën as matjanë, as shtjefnarë. Gjon Kastrioti, thirrej Gjon Dibrani (dhe nuk thirrej në asnjë rast Gjon Matjani a Gjon Mazrek Hasjani. Prof. Kristo Frashëri, dëshmon se Gjon Kastrioti thirrej Gjon Dibrani, kur shkruan se: "bashkëkohësi i Heroit, R.Volaterrano, e quan të jatin e Skënderbeut, Gjon Dibra ose Gjon Dibrani". (Flamur Hadri-Prishtinë: "Historia Shqiptare mbi personalitetin e Skënderbeut", Studime Historike nr.1, fq.126) Kastriotët janë të pranishëm në Dibër, gjegjësisht në Sinë, që më përpara vitit 1467 dhe këtu gjenden të paktën 8 breza, në një hark kohor prej 250 vjetësh… Gjithashtu, Hahn në librin "Udhëtim nëpër viset e Drinit e të Vardarit", në faqen 53, paragrafi I, rreshtat 18,19 e 20, shkruan: "...gjyshi i Skënderbeut, nga ana e familjes së tij, zotëronte në Mat, vetëm dy fshatra, të cilat quheshin Sinja dhe Gardhi i Poshtëm (Gardi Poschtere)". Si i pari dhe i dyti, thonë ekzaktësisht fshatrat që zotëronin Kastriotët, por gabojnë kur përcaktojnë vendin se ku ndodhen vërtet ata.
Ja dhe një argument tjetër, ku toponomastika vërteton lidhjet e Kastriotëve me Dibrën: Fshati Kastriot ndodhet 8 km në verilindje të qytetit të Peshkopisë. Ndërsa qytet-kalaja e Kastriotit, ndodhet në verilindje të Fushës së Kastriotit, në dy anët e përroit e deri ku mbaron lugina, te mëhalla e Përgjegjit të sotëm dhe kishte dy mëhallë: Çeliasë në të djathtë e tjetra në të majtë, ku edhe sot ka themele muresh që quhen "Nures e Troja" (Haziz Ndreu: "Dibra në udhën e historisë", fq. 10). Këtu gjendet edhe vendi që vendësit e thërrasin asaj dite e sot, "Kulla e Gjonit". Rreth 20 metra më larg, gjendet një arë rreth tri dynym tokë, që quhet "Ograja e Gjonit". Ngjitur me kullën, në anën veriperëndimore, është "Kopshti i Gjonit". Në mes të tij, është "Pusi i Gjonit". Ndërsa, rreth 400 metra më larg, është kisha e Kastriotit. (Haziz Ndreu: po aty). Karshi Kastriotit, në të majtë të Drinit, rreth 6 km, ndodhet sot Sina e Poshtme dhe 2 km më larg, katundi Sinë e Sipërme. Në Jug të dy Sinave, jo më larg se 4 km prej tyre, përmenden vendet Gardhi i Poshtëm dhe Gardhi i Epërm, ndërsa 6 km në veri të tyre, ndodhet Çidhna e Poshtme. Këto i ndan Lumi i Setës. Në mes të Çidhnës dhe dy Sinave, jo më shumë se 5 km në mes të Runjës, Gur-Lurës dhe Majës së Pllajës së Sinës, mes grykash e thepinash, ngrihet një shkëmb, i padukshëm nga larg, ku ndodhet Kalaja e Çidhnës. Kjo lidhej me Stelushin, me një rrugë të fshehtë. Rreth kalasë ndodhet Kroi i Skënderbeut, Kodra e Topit etj. (H. Ndreu - i cituar më parë, fq.10-11) A ka ndokund tjetër brenda kufijve etnikë, një ansambël më të përkryer toponimastik sesa ky; gjithçka brenda një trekëndëshi me brinjë jo më të mëdha se 5 km, ku të jenë gërshetuar organikisht vendqëndresat luftarake, vendndejtjet; kopshti, ara, kroi, pusi, kisha, kalaja dhe të gjitha të lidhura me emrin e Skënderbeut dhe të Kastriotëve.
Gjergj Kastrioti, ka lindur në Kastriot, në kullën e Gjonit. Dhe, për mua, Gjergj Kastrioti ka lindur më 6 maj 1405, atë ditë që shumë treva shqiptare, ndër to, aq më shumë malësi si Lura, Çidhna e Malet e Dibrës, e festojnë si Ditën e Shëngjergjit. Madje, Lura e quan edhe Shëngjergjin e Skënderbeut. Unë shpreh habi, sesi deri më sot asnjë studiues, vendas apo i huaj, ndërsa kanë bërë lloj-lloj sajesash për bashkëngjitje, apo shqitje fjalësh, madje disa herë dhe të çuditshme dhe të papranueshme, kurrë nuk kanë thënë se Shëngjergji është Festa e Gëzimit të Madh, e lindjes së Gjergj Kastriotit. Shumëkush Shëngjergjin e lidh me një festë me origjinë fetare, duke thënë se Shëngjergji qenka festa e një shënjti të krishterë. Jo. Po të analizosh vetëm ritet që zbatohen ndër shekuj për këtë festë, arrin në konkluzionin që Dita e Shëngjergjit nuk ka karakter fetar. Gjatë kësaj dite, askund, në xhami apo në kishë, nuk zhvillohen rite e ceremoni fetare, siç ndodh në ditë të shënuara fetare të tjera si, Ditën e Bajramit, të Krishtlindjeve apo të Pashkëve. Zakonisht, në këtë ditë të shënuar bëhen vetëm lojëra të ndryshme popullore, që në ndonjë krahinë si, në Kala të Dodës, kjo lojë zhvillohet në formë beteje ushtarake, kur djemtë e një fshati u bëjnë karshillëk djemve të një fshati tjetër dhe ndeshen me gurë, të cilët i hedhin larg me bahe të bëra prej tyre me penj leshi. Në ditën e Shëngjergjit, njerëzit ngrihen më herët se ditët e tjera, ndezin zjarre të mëdha (mënyra këto tradicionale të shprehjes së gëzimit, sepse asokohe njerëzit nuk kishin as pushkë e as top, nuk kishin as fishekzjarre). Në Ditën e Shëngjergjit, tundin qumështin më të parë dhe sa më herët, etj. Gjithashtu, Dita e Shëngjergjit nuk koincidon me asnjë riciklim natyror, siç ndodh me Ditën e Verës, me Ditën e Sulltan Novruzit apo të Shëmitrit, etj. Pra, ky Shëngjergji ynë, nuk është as Shëngjergj fetar e as Shëngjergj natyror. Atëherë, me siguri, mbetet ditë e shënuar e për një figurë të madhe, siç është Skënderbeu.
By:Faton.S.Turkaj.Kl-XI-5.
Rënia e Krujës, e Shkodrës dhe e kështjellave të tjera
Luftimet e vitit 1474 treguan se luftëtarët shqiptarë ishin ata që mbrojtën me gjakun dhe jetën e tyre qytetin e Shkodrës, duke përballuar me heroizëm sulmin e forcave osmane. Shqiptarët luftonin me vetëmohim kudo që ndodheshin, si mbrojtës të kështjellës, si sulmues në rrethinat e Shkodrës etj. Prandaj Republika e Venedikut u kujdes të forconte lidhjet me ta, duke u kushtuar vëmendje sidomos marrëdhënieve me fisnikët shqiptarë, si me Dukagjinët, Gjurashët, Stres Balshajt, Arianitët etj.
Pas rrethimit të parë të Shkodrës, sulltan Mehmeti II i angazhoi ushtritë osmane kryesisht me pushtimin e brigjeve të Detit të Zi dhe pas dy vjetësh i drejtoi ato kundër Shqipërisë Qendrore e të Epërme.
Dështimi i fushatës ushtarake të vitit 1474 e bindi sulltan Mehmetin II se për pushtimin e kështjellave shqiptare duhej përdorur i gjithë potenciali ushtarak i Perandorisë Osmane dhe se ato duhej të sulmoheshin radhazi.
Për zbatimin e këtij plani trupat osmane erdhën përsëri në Shqipëri në vitin 1476, rrethuan Krujën, që ishte për ta pengesa më e rëndësishme në drejtim të Shkodrës.
Republika e Venedikut duke vlerësuar rëndësinë strategjike të Krujës për mbrojtjen e zotërimeve te saj në Shqipëri, u përpoq të lidhej sa më shumë me shqiptarët dhe kërkoi që të kthehej në Shqipëri djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti, i cili jetonte në pronat që kishte trashëguar në Mbretërinë e Napolit. Për mbrojtjen e Krujës Venediku vendosi këtu 300 stratiotë shqiptarë të sjellë nga Moreja.
Për të liruar Krujën nga rrethimi u formua një ushtri e përbashkët shqiptaro-veneciane, e cila në vitin 1477 sulmoi trupat osmane, që mbanin të rrethuar Krujën, dhe u shkaktoi atyre humbje të rënda. Në vend që fitorja të çohej në fund, ushtria shqiptaro-veneciane ra pas plaçkës së madhe të kampit armik, veprim ky që u dha mundësi forcave kundërshtare të riorganizoheshin menjëherë dhe të ndërmerrnin një sulm të befasishëm. Trupat osmane siguruan një fitore të plotë mbi ushtrinë shqiptaro-veneciane dhe vazhduan kështu rrethimin e Krujës.
Në pranverë të vitit 1478 trupa të freskëta osmane filluan të marshonin mbi tokat shqiptare dhe më 14 maj kontingjentet e para të tyre rrethuan Shkodrën. Brenda një kohe të shkurtër, deri më 15 qershor, ato u përforcuan me ardhjen e ushtrive të tjera të drejtuara nga bejlerbeu i Rumelisë, nga bejlerbeu i Anadollit, si dhe nga vetë sulltan Mehmeti II.
Pas një rrethimi dyvjeçar mbrojtësit heroikë të Krujës dhe banorët e strehuar në kështjellë, të mbetur pa asnjë lloj ushqimi, u detyruan të pranonin kërkesën e sulltanit për dorëzimin e kështjellës me kusht që të largoheshin të lirë nga qyteti. Më 16 qershor të vitit 1478 trupat osmane hynë në kështjellën e Krujës, por sulltani nuk e mbajti premtimin dhe ata, me përjashtim të qeveritarit venecian, vranë të gjithë meshkujt e rritur që gjendeshin në Krujë, ndërsa gratë e fëmijët i kthyen në skllevër.
Pasi mori Krujën, sulltani kërkoi pushtimin e menjëhershëm të Shkodrës. Prandaj të gjitha forcat ushtarake osmane u përqendruan në luftë për pushtimin e saj.
Ashtu si gjatë rrethimit të vitit 1474, krahas qytetarëve shkodranë, në luftën për mbrojtjen e Shkodrës në 1478 morën pjesë edhe banorë të rrethinave e të viseve të tjera shqiptare, duke përfshirë edhe bashkëluftëtarë të Skënderbeut. Në radhët e tyre ishin edhe anëtarë të familjes së njohur shkodrane Dukagjini, nga të cilat ranë në fushën e nderit Teodori dhe Budomiri.
Për të mposhtur mbrojtësit e Shkodrës, si asnjëherë më parë, osmanët përdorën gjerësisht artilerinë, të cilën e vendosën rreth kështjellës. Vetëm topa të rëndë ishin mbi 10. Prej më se një muaji mijëra predha goditën vazhdimisht muret e Rozafës, të cilat i dëmtuan rëndë. Edhe pse në shumë vende muret u rrafshuan, mbrojtësit e kështjellës u përleshën trup me trup me forcat osmane dhe i zbrapsën e i thyen sulmet e vazhdueshme të tyre. Në këto luftime të rrepta krahas burrave morën pjesë edhe gratë e strehuara në kështjellë.
Humbje të rënda trupave osmane u shkaktuan edhe luftëtarët që vepronin në rrethinat e Shkodrës. Këta sulmonin vazhdimisht nga drejtime të ndryshme, sidomos duke ardhur me varka nga liqeni i Shkodrës dhe nga bregu i përtejmë i Bunës.
Deri në fillim të muajit gusht të vitit 1478 trupat osmane e sulmuan vazhdimisht kështjellën e Rozafës, por pa ndonjë përfundim dhe me humbje të rënda për ta. Prandaj sulltan Mehmeti II vendosi t'i mposhtte mbrojtësit e saj nëpërmjet urisë duke forcuar rrethimin e tyre. Për këtë ai ndërmori sulme mbi të gjitha kështjellat e tjera në afërsi të Shkodrës, si Zhabjaku, Drishti e Lezha, që shërbenin si baza të rëndësishme strehimi e furnizimi për luftëtarët shqiptarë që vepronin jashtë kështjellës së Rozafës.
Detyra për pushtimin e kështjellës së Zhabjakut, që ishte në brigjet e liqenit të Shkodrës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Rumelisë. Mbrojtësit e Zhabjakut, ku e kishte selinë Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi), djali i Stefanit që kishte vdekur rreth vitit 1465, nuk bënë asnjë qëndresë dhe ua dorëzuan kështjellën trupave osmane.
Pushtimi i Drishtit, ku po përhapej sëmundja e murtajës, iu ngarkua ushtrisë së bejlerbeut të Anadollit. Për tri javë mbrojtësit e Drishtit përballuan me burrëri sulmet e trupave osmane. Vetëm pasi shkatërruan me artileri nga të gjitha anët muret e fortesës (muret rrethuese të qytetit), më 1 shtator ushtritë osmane u futën në qytetin e shkretuar të Drishtit, kurse kështjella e tij mbeti ende e papushtuar. Rreth 300 drishtianë të zënë rob, ata i vranë nën muret e Rozafës për të ligështuar mbrojtësit e saj. Disa ditë më vonë, pasi morën më parë Lezhën, osmanët pushtuan edhe kështjellën e Drishtit. Edhe me mbrojtësit e kështjellës së zënë rob ata vepruan si me të tjerët, duke i vrarë nën muret e kështjellës së Rozafës.
Më 5 shtator trupat e bejlerbeut të Rumelisë u futën lehtësisht në kështjellën e Lezhës, sepse ajo u braktis nga komandanti venecian që drejtonte mbrojtjen e saj. Banorët e qytetit, që ishin strehuar në ishullin e Lezhës, u kapën dhe u vranë para mureve të kështjellës së Shkodrës.
Pas pushtimit të kështjellave të mësipërme, që e përforconin mbrojtjen e Shkodrës, sulltan Mehmeti II me pjesën më të madhe të ushtrisë, më 8 shtator të vitit 1478, mori rrugën e kthimit në Stamboll. Trupat që mbetën në Shqipëri kishin për detyrë të vazhdonin rrethimin e Shkodrës derisa uria të mposhtte qëndresën heroike të shqiptarëve.
Ndërkohë, pas përpjekjeve shumëvjeçare, më 25 janar 1479, Venediku arriti të siguronte nënshkrimin e paqes me sulltan Mehmetin II. Në traktatin e paqes, ndër të tjera, ishte përfshirë edhe çështja e Shkodrës. Në bazë të tij Shkodra kalonte në duart e osmanëve, kurse mbrojtësit e banorët e saj mund të largoheshin të lirë prej qytetit të tyre. Më 25 prill të vitit 1479 forcat osmane hynë në Shkodër. Banorët e Shkodrës e të rrethinave të saj i braktisën ato masivisht dhe u vendosën kryesisht në rajonin e Venedikut. Bashkë me ta emigruan edhe personazhe të shquara të jetës politike shqiptare, si Lekë e Nikollë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) etj.
Po gjatë vitit 1479, Republika e Venedikut u dorëzoi osmanëve në Shqipërinë e Poshtme kështjellat bregdetare të Himarës, të Sopotit (Borshi) e të Kastrovilës. Osmanët morën edhe zotërimet e fundit që despoti Leonard I (IV) Toko kishte në Shqipërine e Poshtme.
Edhe pas rënies së këtyre kështjellave në duart e osmanëve, lufta e shqiptarëve kundër pushtuesve nuk u shua, ajo mbeti gjithnjë e gjallë dhe iu përshtat rrethanave të reja, kur qytetet e kështjellat e vendit kishin rënë përfundimisht në duart e pushtuesve.
Mbrojtja e Shkodrës gjatë Rrethimit I (1474)
Humbjet e rënda të trupave osmane në Shqipëri gjatë dy fushatave ushtarake të viteve 1466-1467 dhe angazhimi i tyre në fronte të tjera lufte, deri në fillim të viteve 70, e detyruan sulltan Mehmetin II që për disa vjet të ndërpriste sulmet mbi viset e lira shqiptare dhe vetëm më 1474 të vendoste për organizimin e një fushate të re ushtarke për pushtimin e rajoneve perëndimore të Shqipërisë Qendrore e të Epërme.
Ndryshe nga fushatat ushtarake të mëparshme që kishin për detyrë të shkatërronin ushtrinë e Skënderbeut dhe i drejtoheshin kryeqendrës shqiptare, Krujës, tani trupat osmane duhej të luftonin me Venedikun, prandaj iu drejtuan kryeqendrës së zotërimeve veneciane në tokat shqiptare, Shkodrës. Krahas kështjellës së Rozafës, qyteti i Shkodrës dhe rrethinat mbroheshin edhe prej kështjellave të tjera, si ajo e Drishtit, e Dejës, e Zhabjakut. Pushtimi i Shkodrës u hapte rrugën osmanëve që të merrnin edhe qendra të tilla të rëndësishme, si Krujën e Lezhën.
Marshimi i trupave osmane në drejtim të Shkodrës ishte i papritur për qeveritarët venecianë dhe shkaktoi një shqetësim të përgjithshëm. Banorët e paaftë për luftë të fshatrave të fushës së Shkodrës u larguan nga vendbanimet e tyre dhe u strehuan nëpër male e vende më të sigurta. Në mbrojtje të kështjellës, krahas banorëve të qytetit, ishin edhe luftëtarë të ardhur nga krahinat dhe nga vise të largëta të vendit, si dhe një repart i vogël venecian. Numri i përgjithshëm i mbrojtësve të kështjellës së Shkodrës arrinte deri në 2 mijë luftëtarë.
Në kështjellën e Rozafës u strehuan edhe banorët e paaftë për luftë të qytetit dhe të fshatrave të afërt. Mbrojtjen e kështjellës e drejtonte qeveritari venecian i Shkodrës, Anton Loredani.
Më 15 maj të vitit 1474 shtatë sanxhakbejlerë, në krye të disa mijëra ushtarësh, arritën në fushën e Shkodrës. Pasi rrethuan kështjellën, një pjesë e tyre filloi plaçkitjen e krahinave rreth saj. Më 4 qershor arritën trupa të tjerë me bejlerbeun e Rumelisë në krye, Sinan Pashën, duke e rritur numrin e përgjithshëm të tyre. Burimet e kohës japin një shifër të ekzagjeruar, 80 mijë veta.
Për pushtimin e kështjellës Sinan Pasha vuri në përdorim artilerinë. Pranë mureve të saj u derdhën gjatë muajit qershor 4 topa shumë të fuqishëm. Pas një bombardimi të vazhdueshëm muret e kështjellës u dëmtuan rëndë, por shqiptarët i meremetonin ato vazhdimisht duke punuar edhe natën.
Mbrojtësit dhe të strehuarit në kështjellën e Rozafës u gjendën përballë vështirësive të shumta. Uria, etja dhe sëmundjet shkaktuan ndër ta vdekje në masë. Sipas një relacioni mbi rrethimin e Shkodrës, të shkruar e të botuar ato ditë prej humanistit venecian Gjergj Merulës, vdiqën gjysma e të strehuarve në kështjellë, rreth 3 mijë veta. Mbrojtësit e Shkodrës iu drejtuan për ndihmë dukës së Venedikut. Komandanti i flotës veneciane Trinidat Griti, që ndodhej në këtë kohë në detin Egje, kur e njoftuan për rrethimin e Shkodrës, me iniciativën e vet u nis menjëherë në ndihmë të saj. Në krye të 8 anijeve luftarake ai hyri në lumin e Bunës, por për shkak të cektësisë së ujit nuk mundi të lundrojë sipër Shirgjit. Si rrjedhim, ai nuk arriti të krijojë lidhje me mbrojtësit e kështjellës së Shkodrës, as të ndërmerrte ndonjë aksion kundër forcave osmane. Përkundrazi, sapo e zbuluan flotën veneciane, osmanët e sulmuan atë dhe e detyruan të largohej menjëherë në det të hapur nëpërmjet lumit të Bunës.
Ndihmë të rëndësishme u dhanë mbrojtësve të kështjellës shqiptarët që vepronin jashtë saj, në rrethinat e Shkodrës dhe në vise të tjera më të largëta, si edhe luftëtarët e Gjon Gjurashit. Këta vinin nga kështjellat e papushtuara, nga liqeni i Shkodrës, nga ngushtica e gryka të rrezikshme dhe sulmonin pandërprerë trupat osmane dhe karvanët e furnizimit të tyre, duke u shkaktuar dëme të rënda.
Pas një muaji bombardimi të pandërprerë të mureve të Rozafës, Sinan Pasha urdhëroi më 18 korrik që të sulmohej kështjella, duke përdorur gjerësisht të gjitha mjetet e mundshme. Me besim të plotë se do ta merrnin kështjellën, osmanët vërshuan me tërbim drejt mureve të saj, por sulmi i tyre ndeshi në qëndresën e pamposhtur të mbrojtësve të kështjellës. Këta kundërsulmonin me heroizëm dhe largonin forcat osmane, duke u shkaktuar humbje të rënda. Sipas një letre të shkruar ato ditë nga qeveritari venecian i Shkodrës, A. Loredani, ushtria osmane la në këto luftime mbi 7 mijë të vrarë dhe një numër shumë të madh të plagosurish.
Trupat osmane nga dita në ditë po ndesheshin në vështirësi gjithnjë e më të mëdha, si prej sulmeve të luftëtarëve shqiptarë që vepronin në viset përreth, ashtu dhe nga mungesa e furnizimit me ushqime e materiale të tjera të nevojshme për ushtarët dhe kuajt e tyre. Këto vështirësi e bindën Sinan Pashën se ishte e kotë që të vazhdonte më tej luftën, prandaj vendosi që t'i largonte ushtritë nga rajoni i Shkodrës. Më 9 gusht ushtritë osmane hoqën rrethimin nga Shkodra dhe gjatë largimit dogjën e shkatërruan çdo gjë, duke përfshirë edhe kështjellën e Dejës, pas një qëndrese të fuqishme të popullsisë së saj të udhëhequr nga vëllezërit Lekë e Nikollë Dukagjini. Largimi i tyre prej tokave shqiptare shkaktoi një valë gëzimi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shtetet italiane e në vende të tjera, sepse, siç shkruante Gj. Merula, kur osmanët sulmonin muret e kështjellës së Rozafës thirrja e tyre e luftës ishte "Roma! Roma!", gjë që tregonte se ata synonin që, pas pushtimit të qyteteve shqiptare, të fillonin pushtimin e Italisë.
Shqipëria pas vdekjes së Skënderbeut
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vdiq në një kohë kur Shqipëria ndodhej përballë vështirësive të mëdha ekonomike të papara ndonjëherë. Luftimet e ashpra të viteve 1466-1467 dhe prania për dy vjet radhazi e trupave të shumta osmane në tokat e lira shqiptare, rrënuan shumë ekonominë e vendit dhe nuk lejuan të mbillej drithi e kulturat e tjera bujqësore. Masakrat e padëgjuara dhe uria detyruan me mijëra shqiptarë të linin atdheun dhe të emigronin. Një pjesë e rajoneve lindore, si ato të Tetovës, Kërçovës, Ohrit e të Elbasanit iu shkëputën viseve të lira dhe kaluan nën pushtimin osman.
Vdekja e Skënderbeut i tronditi thellë shqiptarët dhe ndikoi shumë në jetën politike të vendit. Disa javë pas vdekjes së tij, e shoqja, Donika, dhe i biri 13-vjeçar Gjoni, u përfshinë në eksodin e madh shqiptar dhe u vendosën në pronat që kishin në Itali (Monte Sant Anxhelo dhe San Xhovani Rotondo).
Humbja e Skënderbeut, e këtij gjeniu të artit ushtarak, i hoqi botës shqiptare udhëheqësin e jashtëzakonshëm, personalitetin më të shquar të historisë kombëtare, që kishte ndikuar fuqishëm në tërë veprimtarinë politike të vendit. Nuk kishte në Shqipëri një personalitet tjetër që t'i afrohej këtij Heroi nga aftësitë si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak. Prandaj jeta politike filloi të decentralizohej. Familjet e mëdha aristokrate dolën përsëri si zotër më vete dhe disa prej tyre filluan të mbështeteshin te Republika e Venedikut, që, me vdekjen e Skënderbeut, veproi energjikisht për të vënë nën kontroll jetën politike të Shqipërisë.
Senati i Venedikut vendosi që të dërgonte në Shqipëri Pal Engjëllin, i cili prej shumë vitesh qëndronte atje si përfaqësues i Skënderbeut. Sapo erdhi në Shqipëri, Pal Engjëlli bisedoi me gruan dhe djalin e Skënderbeut, si dhe me të afërm të familjes së Kastriotëve dhe u kërkoi atyre që t'i dorëzonin Venedikut Krujën dhe zotërimet e tjera. Kur gruaja dhe djali i Skënderbeut u larguan nga Shqipëria, Kruja kaloi në duart e Venedikut. Vëmendje u kushtoi Republika e Venedikut edhe marrëdhënieve me fisnikët e tjerë shqiptarë, që i kishin zotërimet në kufi me të dhe me Krujën. Prandaj më 1469 i dërguari i posaçëm (proveditori) i Venedikut në Shqipëri, vizitoi Gjin Stres Balshën, Vuk Skurën e Bendës e fisnikë të tjerë që i kishin zotërimet në afërsi të Krujës.
Ndërkohë disa nga fisnikët shqiptarë ishin kundër forcimit të pozitave të Venedikut në Shqipëri dhe marrëdhëniet u acaruan aq shumë, saqë u ndërmorën edhe masa ndëshkimore. Më 1469 Senati i Republikës vendosi që, në qoftë se i biri i Mamicë Kastriotit nuk do t'i bindej Venedikut, nëna e tij të dëbohej nga qyteti i Durrësit, ku ajo banonte. Edhe më të acaruara u bënë marrëdhëniet e Venedikut me Lekë Dukagjinin. Për të ruajtur zotërimet e veta nga sulmet osmane, Leka hyri në bisedime me osmanët, gjë që e shqetësoi shumë Republikën e Venedikut. Prandaj më 1469 Senati i saj vendosi të mos lejohej Lekë Dukagjini që të merrte pasuritë që kishte në Shkodër, duke shpresuar se me një masë të tillë do ta largonte atë nga bisedimet me osmanët. Por ky sanksion i acaroi edhe më tej marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe e detyroi Lekë Dukagjinin të përdorte armët kundër Venedikut.
Pas marrjes së Krujës, në duart e Republikës së Venedikut kishin kaluar të gjitha kështjellat e rëndësishme të viseve të Shqipërisë Qendrore e të Sipërme, që ende ishin të papushtuara prej osmanëve. Edhe pse këto kështjella mbroheshin kryesisht nga luftëtarë shqiptarë, ruajtja e tyre varej shumë tani nga qëndrimi që do të mbante Venediku ndaj pushtuesve osmanë.
Kthimi në Shqipëri i Skënderbeut të Ri (1501-1503)
Në fund të shek. XV sulltanët osmanë i shtuan përpjekjet për të zgjeruar pushtimet e tyre drejt Evropës Qendrore dhe Perëndimore.
Për të përballuar këtë rrezik, shtetet evropiane u përpoqën të organizonin operacione ushtarake të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane dhe të nxitnin popujt e Gadishullit Ballkanik të hidheshin në kryengritje. Në këto rrethana, Shqipëria kishte një rëndësi të veçantë edhe për vetë pozitën gjeografike të saj si vendi që e përshkonin rrugët tokësore më të shkurtra për të kaluar nga Evropa Perëndimore në qendër të Perandorisë Osmane. Ajo formonte krahun perëndimor të kësaj Perandorie dhe ishte si një urë kalimi për t'i hedhur ushtritë osmane në Itali.
Për të penguar përgatitjet ushtarake të osmanëve kundër Italisë, ato projektuan fushata të përbashkëta kundër Perandorisë Osmane dhe menduan t'i nisnin nga bregdeti i Shqipërisë.
Iniciativën për të zbarkuar në Ballkan e mori mbreti i Francës, Karli VIII, i cili bashkë me ushtrinë e tij kishte pushtuar një pjesë të madhe të Italisë dhe në fund të vitit 1494 mori Napolin. Përgatitjet e Karlit VIII ngjallën entuziazëm në popujt e shtypur të Ballkanit dhe qenë një nxitje për shqiptarët që të rrëmbenin përsëri armët. Në planet e këtij mbreti lëvizja shqiptare ishte llogaritur si një faktor politik shumë i rëndësishëm.
Kryengritja që filloi në Shqipëri mori përpjesëtime të mëdha veçanërisht në krahinën e Himarës dhe në viset pranë Durrësit. Shqiptarët ishin të gatshëm të sulmonin forcat osmane dhe të përkrahnin zbarkimin e ushtrive frënge. Ato riaktivizuan lidhjet me fisnikët shqiptarë të mërguar në Itali për t'i vënë në krye të luftës së tyre. Për këtë qëllim si dhe për të krijuar lidhje me Karlin VIII, shkoi në Itali kryepeshkopi i Durrësit, Martin Firmano. Por, kur po kthehej nga Italia, ai u kap në det prej venecianëve, të cilët nuk e shikonin me sy të mirë as ardhjen e ushtrive frënge në Itali, as zbarkimin e tyre në Ballkan dhe as kryengritjen në Shqipëri. Kundërshtimet që gjeti në Itali e detyruan Karlin VIII të hiqte dorë nga ekspedita dhe të kthehej në Francë më 1495. Me largimin e rrezikut frëng, në verën e vitit 1495 disa sanxhakbejlerë osmanë, që nga Vlora ku kishin sjell forcat e tyre, filluan ekspeditat ndëshkimore kundër shqiptarëve, për të rivendosur sundimin e tyre në rajonet e kryengritjeve. Por edhe këto ekspedita nuk e shuan dot qëndresën shqiptare.
Për shkak se Perandoria Osmane kishte filluar të ndërtonte një flotë të madhe në kuadrin e përgatitjeve për të sulmuar Italinë, marrëdhëniet e saj me Venedikun u acaruan në vitin 1498. Në këto rrethana, duke pasur nevojë për qëndresën antiosmane të shqiptarëve, Senati i Venedikut u përpoq të lidhej me të. Për këtë qëllim ai e nxori nga burgu Martin Firmanon dhe në qershor të vitit 1499 e nisi për në Shqipëri bashkë me emisarët e vet.
Midis krerëve shqiptarë dhe të dërguarve venecianë lindën mosmarrëveshje për qëllimet, vendin dhe për shtrirjen që do të kishte kryengritja në Shqipëri. Senati ishte kundër shpërthimit të një lëvizjeje të përgjithshme dhe kërkonte vetëm një kryengritje lokale në rajonin e Lezhës. Këtu Venediku parashikonte të zbarkonte forcat e veta për të ruajtur zotërimin e Durrësit. Kurse shqiptarët ishin për një kryengritje sa më të gjerë për çlirimin e vendit. Në takimin që bënë krerët shqiptarë me emisarët venecianë në shtëpinë e Martin Firmanos në afërsi të Durrësit, mosmarrëveshjet midis tyre u acaruan në atë shkallë, saqë Republika me anën e bajlit të saj të Durrësit e helmoi Martin Firmanon.
Një muaj më vonë, në shtator 1499, shpërtheu kryengritja në rrethin e Lezhës. Rrugët për në Shkodër dhe në Dukagjin u prenë dhe funksionarët osmanë u dëbuan. Kryengritësit kërkuan që pasardhësit e Skënderbeut të viheshin në krye të lëvizjes antiosmane. Në vend të Gjon Kastriotit, që ishte i sëmurë, ata iu drejtuan birit të tij, Gjergj Kastriotit, të mbiquajtur Skënderbeu i Ri.
Për të pasur nën kontroll zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri, Senati i Venedikut shpalli se merrte përsipër dërgimin e Gjergj Kastriotit dhe të forcave të tij në Shqipëri. Nga Mbretëria e Napolit Gjergj Kastrioti shkoi në Venedik, ku me premtime të ndryshme, u mbajt gjatë, për më tepër se një vit.
Gjergji u nis për në Shqipëri vetëm në pranverë të vitit 1501 kur Durrësi, që ishte nën zotërimin venecian, u rrezikua seriozisht nga sulmet e ushtrive osmane. Nisjen e Gjergj Kastriotit në Shqipëri e organizoi Venediku. Me këtë Senati kishte për qëllim të fuqizonte kryengritjen e shqiptarëve në rajonin e Lezhës për t'i detyruar osmanët të largonin ushtritë e tyre nga rrethimi i Durrësit dhe t'i angazhonin ata në luftë kundër kryengritësve shqiptarë.
Ekspedita, e përbërë prej 150-200 stratiotësh, e kryesuar nga Skënderbeu i Ri dhe e shoqëruar nga një emisar venecian, zbarkoi më 5 mars 1501 në Ishullin e Lezhës, të çliruar qysh më parë nga kryengritësit shqiptarë. Por, ndihmat veneciane që ai solli me vete ishin të pakta. Në përpjekjen e parë që patën me forcat osmane, ushtarët e Skënderbeut të Ri u thyen dhe ekspedita do të kishte dështuar, sikur më pas kryengritësit shqiptarë të mos i përballonin sulmet e osmanëve. Ndërkohë midis emisarit venecian dhe Skënderbeut të Ri, që mbante anën e krerëve shqiptarë, lindën mosmarrëveshje që ndikuan negativisht në zhvillimin e kryengritjes.
Më 13 gusht 1501 ushtria osmane, e komanduar nga sanxhakbeu i Elbasanit, pushtoi Durrësin. Për të mënjanuar humbjen e Ishullit të Lezhës, të Ulqinit e të Tivarit, Venediku filloi bisedimet për paqe me pushtuesit osmanë dhe, më 14 dhjetor 1502, nënshkroi me ta marrëveshjen përkatëse dhe i braktisi kryengritësit shqiptarë.
Në këto rrethana Skënderbeu i Ri dhe Progon Dukagjini, i cili gjithashtu ishte kthyer nga mërgimi, kërkuan të hynin në marrëveshje me autoritetet osmane. Më 1503 shkuan në Shkodër dhe i kërkuan sanxhakbeut Feriz Beut që ata të vendoseshin në ish-zotërimet e familjeve të tyre dhe t'i qeverisnin ato nën sovranitetin e sulltanit. U pranua vetëm kërkesa e Progon Dukagjinit, të cilit iu dha titulli i pashës dhe, në formë timari, një pjesë e zotërimeve të Dukagjinëve. Kurse kërkesa e nipit të Skënderbeut nuk u pranua. Pas këtij refuzimi dhe një qëndrimi dyvjeçar në Shqipëri, në shkurt të vitit 1503 Skënderbeu i Ri u detyrua të mërgonte përsëri në Itali. Nuk dihet data e vdekjes së tij. Thuhet se vdiq në Qipro duke lënë pas tre djem. Më 1506 turqit pushtuan Ishullin e Lezhës, kurse Ulqini e Tivari do të vazhdonin edhe për disa dhjetëra vjet të qëndronin në duart e Venedikut e të papushtuara prej osmanëve.
Me përpjekjet që u bënë gjatë fundit të shek. XV dhe fillimit të shek. XVI për rimëkëmbjen e shteteve mesjetare shqiptare u mbyll periudha e luftës së gjatë më se njëshekullore e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë për të mbrojtur lirinë dhe jetën e pavarur politike.
Kryengritja e vitit 1492 në Shqipërinë e Poshtme
Edhe pas luftimeve të shqiptarëve me ushtritë osmane gjatë gjysmës së parë të viteve 80, vala e kryengritjeve antiosmane vazhdoi më tej.
Një nga vatrat e qëndresës antiosmane u bë Labëria. Për nënshtrimin e banorëve të saj u ngarkua sanxhakbeu i Vlorës, Komjan Arianiti, që kishte origjinë shqiptare. Më 1486 forcat e tij u dërguan kundër Labërisë, por ato pësuan disfatë edhe vetë Komjan Arianiti ra rob dhe u vra prej shqiptarëve, të cilët ndërkohë çliruan edhe kështjellën e Himarës. Për të shtypur kryengritjen erdhi vetë bejlerbeu i Rumelisë, Sinan Pasha, në krye të një ushtrie të fuqishme. Gjatë vitit 1486 trupat e tij kaluan nëpër bregdetin e Himarës dhe e shkretuan atë.
Gjatë vitit 1488 lëvizja antiosmane u shtri edhe në viset e Shqipërisë Qendrore. Kryengritësit e këtyre rajoneve dërguan përfaqësuesit e vet në Itali dhe kërkuan rikthimin në atdhe të Gjon Kastriotit që të vihej në krye të tyre. Por prej Mbretërisë së Napolit dhe vendeve të tjera evropiane me sa duket, ai nuk gjeti përkrahjen materiale dhe mjete lundrimi për të realizuar transportimin e forcave të tij.
Viti 1492 do të shënonte një nga pikat kulmore të luftës antiosmane, për shtypjen e së cilës u angazhua vetë sulltan Bajaziti II.
Pas përgatitjeve ushtarake intensive, në pranverë të vitit 1492 ushtria perandorake osmane me sulltanin në krye mori drejtimin për në Shqipërinë e Poshtme. Gjatë muajit maj 1492 ushtria osmane arriti në Tepelenë, ku vendosi kampin e vet. Ndërkohë, me qëllim që kryengritësve mos t'u lihej shteg ikjeje, një flotë osmane prej 300 anijesh, nën komandën e Sinan Pashës, kishte dalë në bregdetin e Shqipërisë së Poshtme më parë se sulltani të arrinte në Tepelenë.
Veprimet ushtarake kundër shqiptarëve sulltan Bajaziti II i filloi në muajin korrik. Mbasi shtinë në dorë kështjellat e Himarës e të Sopotit (Borshit), të cilat me urdhër të sulltanit u shkatërruan si çerdhe të kryengritësve, forcat ushtarake të sulltanit u orvatën të hyjnë në viset e brendshme, për të shpartalluar kryengritësit shqiptarë, të cilët bashkë me pleqtë, gratë e fëmijët, kishin kaluar në malet e Labërisë. Që nga lart shqiptarët lëshonin mbi ushtarët armiq shkëmbinjtë e malit. Armët e tyre ishin të thjeshta, shtizat në trajtën e gjuhës së gjarprit dhe shigjetat me majë të hekurt që ata i hidhnin me harqe druri. Megjithatë qëndresa e shqiptarëve ishte heroike. "Aq të shkathët janë ata në kohën e luftës, sa që shpata nuk ua cenon dot dorën dhe shigjeta nuk u prek as gishtin", shkruan kronisti turk bashkëkohës Ibn Kemali, pjesëmarrës në këtë luftë.
Pas sulmesh të vazhdueshme të forcave të shumta osmane, kryengritësit e Labërisë u detyruan të përqendroheshin në dy maja mali, ku ata kishin ngritur kulla mbrojtëse. Njëri grup, me gjithë qëndresën heroike kundër ushtrisë së Rumelisë të komanduar prej bejlerbeut Jahja Pashës, u shtrëngua të dorëzohej me kusht që të lihej i lirë të ikte. Por pushtuesit e shkelën marrëveshjen dhe mbi kryengritësit e dorëzuar bënë kërdinë, burrave u prenë këmbë e duar dhe pastaj i hodhën tatëpjetë malit, gratë dhe fëmijët, që u gjetën në atë mal, i bashkuan me vargun e 8 000 robërve që kishin kapur gjatë këtyre operacioneve dhe, nëpërmjet skelës së Vlorës, i nisën për në tregjet e Lindjes që t'i shisnin si skllevër.
Nga ana tjetër, garda perandorake dhe ushtria e Anadollit nën komandën e Daut Pashës, u përpoqën të asgjësonin qëndresën që vazhdoi në malin tjetër. Luftimet vazhduan deri në fund të gushtit pa asnjë përfundim. Afrimi i vjeshtës, vështirësitë e mëdha e shpenzimet që bëheshin për të mbajtur në këmbë një ushtri aq të madhe kundër një pakice shqiptarësh, e detyruan sulltan Bajazitin II të kërkonte dhe të arrinte një marrëveshje me kryengritësit. Në bazë të saj kryengritësit do të njihnin sundimin osman dhe, në shenjë bindjeje, do t'i paguanin sulltanit një tribut të vogël vjetor, kurse sulltani u njihte atyre të drejtën të vetëqeverisnin vendin në bazë të dokeve tradicionale, të kishin gjyqet e tyre dhe të mbanin armët lirisht. Kjo marrëveshje u dha mundësi kryengritësve të largonin rrezikun e vendosjes në krahinën e tyre të qeveritarëve osmanë dhe të sistemit të timareve.
Në fund të fushatës ushtarake osmane, kur ushtritë po largoheshin nga Tepelena, sipas kronistit osman të shek. XVI, Aliut, një kryengritës i veshur si dervish, iu vërsul në rrugë sulltan Bajazitit II, por nuk arriti ta vrasë. Pas këtij episodi, sulltani la një pjesë të ushtrisë në Shqipërinë e Poshtme për të rivendosur aty administratën osmane.
Kthimi në Shqipëri i djalit të Skënderbeut, Gjon Kastriotit (1481-1484)
Rënia gjatë viteve 1478 e 1479 e Krujës, e Shkodrës, e Lezhës, e Himarës dhe e kështjellave të tjera i forcuan pozitat e pushtuesve osmanë në Shqipërinë Perëndimore dhe u krijuan atyre prapavija deri diku të sigurta për të realizuar synimet e sulltan Mehmetit II për pushtimin e Italisë dhe të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Pas marrjes së qyteteve të mësipërme dhe përgatitjeve intensive, trupat osmane u grumbulluan në Vlorë dhe në rrethinat e saj. Në pranverë të vitit 1480 rreth 10 mijë ushtarë me Ahmet Gjedik pashën në krye u nisën nga Vlora dhe zbarkuan në tokën e Mbretërisë së Napolit. Këtu ushtritë osmane rrethuan kështjellën e Otrantos, të cilën e pushtuan më 11 gusht të atij viti.
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e kështjellave të tjera të Mbretërisë së Napolit qenë të pasuksesshme, prandaj gjatë dimrit osmanët filluan përgatitjet për të hedhur në Itali trupa të tjera. Por ndërkohë, me vdekjen në maj të vitit 1481 të sulltan Mehmetit II, ndërmjet djemve të tij, Bajazitit dhe Xhemit, shpërtheu lufta për trashëgimin e fronit, gjë që pezulloi dërgimin e përforcimeve ushtarake osmane në Itali. Pasi siguroi fronin, sulltan Bajaziti e drejtoi vëmendjen nga Italia dhe komandën e trupave të reja për në Gadishullin Apenin ia ngarkoi bejlerbeut të Rumelisë, Sulejman pashë Eunukut.
Pushtimi i kështjellës së Otrantos prej osmanëve i kishte tronditur qarqet drejtuese të shteteve evropiane dhe i nxiti ato që të krijonin një koalicion të përbashkët nën kryesinë e Mbretërisë së Napolit. Forcat e koalicionit evropian e detyruan ushtrinë osmane të qëndronte e rrethuar në kështjellën e Otrantos. Në këto luftime, në radhët e ushtrisë napolitane mori pjesë edhe djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti.
Lufta e koalicionit evropian kundër ushtrisë osmane në Itali, interesimi i mbretit Ferdinand të Napolit për të krijuar në Shqipëri një prapavijë të pasigurt për trupat osmane që vepronin e që dërgoheshin në Itali, si dhe kriza politike që shpërtheu në Perandorinë Osmane me vdekjen e sulltan Mehmetit II, u ngjalli shpresa shqiptarëve për t'u çliruar nga zgjedha osmane dhe i hodhi ata në aksione të fuqishme.
Në këto rrethana në Shqipërinë Perëndimore shpërtheu një valë kryengritjesh, të cilat e detyruan bejlerbeun e Rumelisë që ushtritë e destinuara për në Itali t'i angazhonte në luftë kundër shqiptarëve. Për shpërthimin dhe organizimin e këtyre kryengritjeve rol parësor patën disa nga drejtuesit e mëparshëm të vendit dhe trashëgimtarë të tyre, që u kthyen në Shqipëri nga mërgimi për të rimëkëmbur zotërimet e tyre.
Në fillim të verës së vitit 1481, pas vdekjes së sulltan Mehmetit II, filluan të kthehen në Shqipëri Nikollë Dukagjini, Lekë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) dhe, pak më vonë, Gjon Kastrioti e Konstandin Muzaka. Gj. Gjurashi hyri në marrëveshje me osmanët, u bë vasal i tyre dhe ringriti kështu shtetin e tij.
Gjon Kastrioti jetonte në Mbretërinë e Napolit, në pronat që i kishte trashëguar prej babait të tij, Skënderbeut. Ai ishte duke luftuar kundër osmanëve në Otranto, kur përfaqësues të kryengritësve shqiptarë i kërkuan Gjon Kastriotit që të kthehej në Shqipëri dhe ai e pranoi kërkesën e tyre.
Duke përfituar nga interesimi që kishte në këtë kohë oborri napolitan për zgjerimin sa më shumë të frontit të luftës kundër pushtuesve osmanë, Gjon Kastrioti arriti të siguronte nga mbreti Ferdinand mjetet e nevojshme të lundrimit për të ardhur në Shqipëri së bashku me një numër luftëtarësh. Në katër anije (galera) napolitane i ngarkoi forcat e veta dhe u nis në drejtim të atdheut bashkë me kushëririn e tij, Konstandin Muzakën.
Pasi Gjon Kastrioti zbarkoi në jug të Durrësit, anijet napolitane iu drejtuan Shqipërisë së Poshtme dhe zbarkuan Konstandin Muzakën në zonën e Himarës, ku ishte krijuar një vatër tjetër kryengritjesh antiosmane. Ndërkohë në Shqipërinë e Epërme, në rajonet malore të Lezhës e të Shkodrës vepronin forcat e Nikollë e Lekë Dukagjinit. Këta sulmuan edhe qytetin e Shkodrës, gjë që e detyroi Sulejman Pashën të dërgonte përforcime ushtarake edhe në këtë zonë.
Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë Qendrore si trashëgimtar i ligjshëm i vendit. Me ardhjen e tij kryengritësit e këtyre rajoneve e fuqizuan luftën për dëbimin e pushtuesve osmanë. Në këto kushte, Sulejman pashë Eunuku nisi kundër tyre një pjesë të ushtrisë osmane, e cila po përgatitej në rrethinat e Vlorës për të shkuar në Itali.
Për të përballuar sulmin e ushtrisë osmane Gjon Kastrioti dërgoi një pjesë të luftëtarëve të vet në mbrojtje të një shtegu nga do të kalonin trupat armike. Por luftëtarët shqiptarë nuk e përballuan dot sulmin e forcave osmane dhe thuajse të gjithë ranë robër. Kjo humbje ia lëkundi besimin Gjon Kastriotit për suksesin e kryengritjes, prandaj ai mendoi të largohej nga Shqipëria dhe të kthehej në Itali. Por banorët e zotërimeve të Kastriotëve shprehën një gatishmëri masive për të vazhduar luftën kundër pushtuesve osmanë. Rreth 7 mijë luftëtarë u grumbulluan rreth Gjon Kastriotit dhe në gjysmën e parë të muajit gusht të vitit 1481 i sulmuan dhe i shpartalluan trupat osmane. Krahas kësaj fitoreje u arrit të liroheshin edhe shqiptarët që ishin zënë rob prej osmanëve në betejën e mëparshme.
Po gjatë muajit gusht të vitit 1481 edhe në viset perëndimore të Shqipërisë së Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe trupave osmane. Nën drejtimin e Konstandin Muzakës luftëtarët shqiptarë rrethuan dhe sulmuan kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit). Gjendja shumë e vështirë që u krijua për forcat osmane, që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë në krye të 3 mijë ushtarëve në drejtim të Himarës. Por rrugës këta u shpartalluan prej shqiptarëve dhe lanë mbi 1 mijë të vrarë e robër. Midis robërve ishte edhe bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, të cilin himariotët ia dhanë si trofe lufte Gjon Kastriotit, shprehje kjo e ndjenjave të tyre të thella për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe të respektit që ata tregonin për veprimtarinë e djalit të tij. Për të tërhequr vëmendjen e përkrahjen e shteteve evropiane për luftën e shqiptarëve, Gjoni i dërgoi mbretit të Napolit si trofe bejlerbeun e Rumelisë.
Pas fitores së himariotëve mbi trupat e Sinan Pashës, në viset bregdetare të Shqipërisë së Poshtme u çliruan kështjella e Himarës më 31 gusht 1481 dhe më pas ajo e Sopotit.
Shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës në Shqipëri, i lehtësoi së tepërmi aksionet luftarake antiosmane që zhvilloheshin në mbretërinë e Napolit. Më 10 shtator të vitit 1481 ushtria e Napolit çliroi kështjellën e Otrantos dhe i dëboi kështu osmanët nga Italia.
Pas fitoreve të shqiptarëve gjatë muajit gusht të vitit 1481 kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, u zgjeruan veprimet e tyre luftarake për çlirimin e qyteteve dhe të kështjellave të vendit. Luftëtarët e Gjon Kastriotit iu drejtuan Krujës dhe ndërmorën sulme për çlirimin e saj. Megjithëse nuk arritën ta merrnin atë, sepse kështjella e Krujës ishte shumë e fortifikuar dhe e papushtueshme me forcën e armëve, deri në fund të vitit 1481 shqiptarët çliruan një pjesë të konsiderueshme të zotërimeve të Kastriotëve, duke përfshirë edhe kështjellën e Stelushit, si dhe krahina të tjera rreth saj. Si kryezot i viseve të çliruara u njoh Gjon Kastrioti.
Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1483 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, ushtritë osmane fuqizuan veprimtarinë e tyre për ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe të viseve të tjera të lira shqiptare. Edhe pse në janar të vitit 1484 luftëtarët e Gjon Kastriotit shpartalluan një ushtri osmane pranë lumit Erzen, qëndresa dhe lufta e organizuar e shqiptarëve përkohësisht filloi të dobësohej prej presionit të madh e të pandërprerë të trupave pushtuese. Në verë të vitit 1484 osmanët ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia e qëndresës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në pronat që Kastriotët kishin në Itali. Të njëjtën gjë bënë edhe sundimtarët e tjerë shqiptarë, që kishin emigruar dhe që në fillim të viteve 80 erdhën në Shqipëri për të udhëhequr kryengritjet antiosmane.
Gjon Kastrioti vdiq pas vitit 1502 dhe la pesë fëmijë: Gjergjin (Skënderbeu i Ri), Konstandinin, peshkop i Izernias që vdiq në vitin 1500 në moshën 20-vjeçare, Ferrantin (të cilit M. Barleci i ka kushtuar një parathënie te "Historia e Skënderbeut" dhe që ka vdekur më 1561), Federikon, që vdiq më 1503 në moshën 15-vjeçare në Valencie të Spanjës, ku u varros me nderime mbretërore, dhe Marien, e cila iu përkushtua artit.
Shkollat e para shqipe janë hapur në Shkodër e rrethinë rreth 400 vjet më parë dhe shkolla e lartë të paktën 134 vjet më parë. Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Gjatë qindvjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik.
Për disa dhjetëvjeçarë shteti komunist e pati zyrtarizuar një tezë të çuditshme, sipas së cilës e para shkollë shqipe në trojet shqiptare është hapur vetëm në vitin 1887 në Korçë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje 7 marsi qe shpallur si dita kombëtare e mësuesit.
Shkolla e Korçës bashkë me poezinë e Naim Frashërit që i thotë "ta paçim për jetë hua" ka atë rëndësi që ka, por të dhënat historike janë të tjera, krejt të tjera.
Shkollat shqipe në viset veriore të Atdheut kanë gjalluar të paktën qysh prej katërqind vjetësh. At Donat Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla "për sa dijm na" ai përmend "tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës". Për të parën thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij të njohur "Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme" (The Albanians: An Ethnic History from Pre-Historic Times to the Present) i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632.
"Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632", shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij "Një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632. Përveç shkrimit e leximit aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit". Historiani E. Zhak shton se edhe të tjera u hapën "në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639, dhe në vetë qytetin e Shkodrës më 1698". Autori përmend disa prej mësuesve që shërbyen në këto shkolla. Tërheqin vemendjen mbiemrat e tyre: Shqiptari (Gjon), Shkodrani (Filip), dhe një i tretë Dhërmiu (Dhimitër), që me sa duket është prej një krahine jugore të vendit, prej Dhërmiut.
Më pas u çelën shumë shkolla të tjera. Derisa më 1878, pra një dhjetëvjeçar para "shkollës së parë shqipe"(!) të propagandës së diktaturës, në qytetet veriore shqiptare e deri në Durrës, siç nënvizon studiuesi amerikan, "kishte 21 shkolla të tjera fillore shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre". Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit, e cila kishte tetëdhjetë".
Për arsye të njohura historike këto shkolla fillimisht u hapën në rrethinë: në Shkodër dhe në përgjithësi në qytete pushtuesi kishte kontroll të fortë, të përqëndruar, dhe kjo e vështirësonte deri në pamundësi hapjen e një shkolle shqipe.
Shkollat ishin fetare, katolike. Kjo përmasë ishte e kuptueshme për kohën, nuk mund të ishte ndryshe. Katolicizmi përfaqësonte fenë e parë të shqiptarëve. Në ato kushte sidomos, kur nëpërmjet trysnive me e ndërrue fenë pushtuesi synonte deri asimilimin, mund të thuhet se katolicizmi ishte pjesë qenësore e identitetit shqiptar. Katolicizmi përfaqësonte kulturën dhe qytetërimin perëndimor. E. Zhak citon një klerik françeskan shqiptar të quajtur Leonardo, i cili, lidhur me thelbin e këtyre shkollave, pohon: "Ne jemi më shumë misionarë të qytetërimit se sa të fesë".
Në këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703, të dielën e dytë të Epifanisë, në Kishën e Shën Kollit në Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet ai u organizua me nismën e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të një pape të madh, Klementi XI, Albani. Studiuesit kanë vënë në dukje se nën veshjen fetare të këtij kuvendi të organizuar prej një pape me gjak shqiptar fshihej edhe synimi i madh me e mbajtë gjallë shqiptarizmën, në kushtet e pushtimit osman.
Edhe fakti që dokumentet e këtij Kuvendi historik u botuan njëherësh në latinisht edhe në shqip, treqind vjet më parë, dëshmon qartësisht këtë synim, ashtu siç dëshmon se njerëzit që shkruanin shqip nuk ishin të pakët, pra as shkollat ku ata kishin mësuar e mësonin shqip. Sivjet ishte treqindvjetori i Kuvendit të Arbërit dhe shteti në Tiranë bëri gjumin e madh, bashkë me institucionet e veta akademike, përfshi më të rëndësishmin institucion shkencor të vendit, Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Vijimësi e të njëjtit qëndrim shpërfillës që u mbajt edhe për Nënën Terezë, në vitin e Lumnimit të saj. Po të mos kish bërë zhurmë shtypi, edhe aq sa u bë me këtë rast për Shenjëtoren e madhe, e që ishte shumë shumë pak, edhe aq nuk do të ishte bërë.
Por le të kthehemi prapë te shkollat. Asnjë botim zyrtar nuk i përmend ato. Tekstet mësimore në shumë vështrime vazhdojnë me tezat e vjetra. Ndodh për mungesë përgjegjësie të institucioneve shtetërore, për padije, për ateizëm, apo sepse janë gjurmët e frymës kundërkombëtare të diktaturës, e cila e vinte "inernacionalizmin" e ideologjinë mbi interesat kombëtare? A të gjitha këto kanë gisht së bashku në këtë mbasdore?
Përhapësimi i një mashtrimi të tillë historik e ligësisht të shëmtuar për qytetërimin e vendit tënd, duke e çuar hapjen e të parës shkollë shqipe gati treqind vjet më vonë se sa është e vërteta e dokumentuar prej studiuesve, për më tepër në mes të një Europe ku lulëzojnë universitete mijëvjeçare, është me të vërtetë diçka përbindshore. Eshtë një ndër shërbimet më të këqia që i bëhet lenies (kombit) shqiptare dhe padyshim një investim për llogari të qarqeve parake etnonacionaliste ballkanike. Të gjithë diktatorët e rroposin popullin e vet, por jo edhe qytetërimin e trashëguar, kulturën e gjuhën e tij. Ajo që ka ndodhur e pjesërisht po ndodh edhe sot Shqipëri, është e pakundshoqe në llojin e vet.
Me sa duket ishte quajtur politikisht më e dobishme që, për inat të Shkodrës e të Veriut kundërkomunist, për urrejtje ndaj katolicizmit e qytetërimin perëndimor, le të fundohej edhe trashëgimia kulturore e qytetërimi europian i kombit.
Me fjalë të tjera, jo nusja që kruhej me mullixhinë, por plaka shtrigë klithi: për inat të sime ré tim bir e shtifsha në dhé!
Historiani amerikan Edvin Zhak në veprën e naltpërmendur shton se më 1877 në qytetin e Shkodrës kishte edhe një "qendër me ndikim për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Savierit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë".
Kjo shkollë e lartë ishte edhe një qendër shkencore për krejt Ballkanin, jo vetëm për Shqipërinë. Sipas këtij autori, "një risi shkencore në Kolegjin e Shën Savierit ishte Observatori Metereologjik, i themeluar aty më 1888, si i pari observator astronomik në Ballkan". Ky observator, thekson Zhak, "i vazhdoi shërbimet e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi komunist".
Shkodra kështu dëshmohet edhe një herë si një qendër me peshë e qytetërimit perëndimor jo vetëm në shkallë shqiptare, por edhe më gjërë, në shkallë rajonale.
E vërteta duhet më në fund të thuhet: datat e themelimit të shkollës së parë të lartë në Shqipëri nuk lidhen me institutet që i shpalli me shumë zhurmë pushtetit komunist e që vazhdojnë edhe sot me u njohë si data zyrtare të fillimit të shkollës së lartë. Shkolla e parë e lartë shqipe daton të paktën vitin 1877, kur dokumentohet Kolegji i Shën Françesk Savierit, që pajiste me njohuri tregtare e teknike 400 studentë. Dokumentohet kjo datë, por nuk dihet: mund të ketë qenë hapur edhe më parë.
Në studimin që e përmenda më lart At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot "fill mbas të gjetunit", domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dha vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet.
Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme.
Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë.
Cilët libra janë botuar në ato vite të mugëta? Mjerisht gjatë zhvillimeve të mëvonshme dramatike në trojet shqiptare ato janë zhdukur. Por gjithësesi mund të shpresohet se diçka do të ketë mbetur e herëdokur do të zbulohet. Arkivat e Vatikanit e ato të Stambollit kanë ende shumë galeri të paprekura prej nesh.
Gjuha zyrtare, e shkruar me gërma latine dhe që u adaptua në vitin 1909, ishte e bazuar në dialektin e Gegërishtes Jugore të qytetit të Elbasanit nga fillimi i shtetit të Shqipërisë deri në Luftën e dytë botërore. Deri në vitin 1968 shqiptarët e Kosovës, Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Malit të Zi përdorën Gjuhën Letrare Gege si gjuhë zyrtare. Ne Shqipëri me ardhjen në fuqi të komunistëve gjuha Gege u ndalua institucionalisht prej vitit 1944 deri ne vitin 1967 dhe de-fakto prej vitit 1972 deri sot. Gjuha e sotme zyrtare shqipe jo vetëm që bazohet në toskërisht, por edhe fjalët e shprehjet qe huazohen prej gegërishtes konvertohen në morfologjinë, fonologjinë dhe sintaksën e të folmes toskë. Shqiptarët që jetojnë edhe sot nën administrimin e sllavëve e pranuan gjuhën toskë si gjuhë zyrtare. Ky vendim politik i marrë në Prishtinë në vitin 1968 sot po sfidohet nga shkrimtarë, gazetarë dhe sidomos rinia që shkruan në internet si jo frutdhënës dhe diskriminues ndaj gegëve, në veçanti ndaj kosovarëve të cilët tingëllojnë si emigrantë kur flasin gjuhën standarde shqipe.
Vetëm disa të dhëna të shkruara shkurt janë ruajtur nga shekulli i 15-të. E para ishte një formulë pagëzimi e vitit 1462. Shpërndarja e librave të prodhuar nga shekujt 16 dhe 17 kanë buruar shumë në zonën e Gegërishtës (shpesh në Scutarene Gegërisht veriore) dhe reflektuan aktivitetet misionare të Katoliçizmit Romak. Një rrymë shumë më e vogël e literaturës në shekullin e 19-të ishte prodhuar nga të mërguarit. Ndoshta punimet e literaturës më të hershme dhe të pastra të çfarëdo niveli është poezia e shekullit të 18-të të Jul Varibobës, të enklavave në S. Giorgio në Kalabri. Disa prodhime të literaturës vazhduan në shekullin e 19-të në enklavat Italiane, por asnjë aktivitet i ngjashëm nuk është ruajtur në zonat e Greqisë. Të gjitha këto dokumente të hershme historike tregojnë për një gjuhë e cila dallon pak nga gjuha e tanishme, sepse këto dokumente nga krahina dhe kohë të ndryshme paraqesin karakteristikat e shënuara të dialektit. Sidoqoftë, ato shpesh kanë një vlerë për studimet e linguistikës që janë shumë më të rëndësishme në meritën e tyre të literaturës.
Luftërat e Skënderbeut në Pollog
Pollogu si një krahinë e vogël por tejet e rëndsishme njihet shumë heret në histori, posaçërisht ka qenë e përshkruar nga komandantë e strategë të luftrave të ndryshme që nga periudha ilire e deri më sot. Pastaj këto luftra vazhdojnë pa ndërprer me dyndjen e sllavëve në këto troje ku janë të njohura luftratë bizantine kundër plaçkitësve sllavë të cilët pasi e pushtuan Dardaninë me qytetet kryesore të saja: si Naisusin (Nishin) Skupin-Skopin (Shkupin) Manastirin u vërsulën drejtë Selanikut.
Qysh në atë kohë të hershme mesjetare në trevën e Pollogut gjendeshin lokalitete të shumta mbi 27 fshatra. Në anën e Sharrit më të njohura ishin këto lokalitete: Gradeci, (Draudrakum), Pirgosi (Piroku), Leshka etj. Si qendra më të njohura në Pollog kah shekulli XII përmenden Leshka dhe Piroku, të cilët kanë qenë qendra të rëndësishme ekonomiko-politike para shekullit XII. Kah fundi i këtij shekulli në këto anë kalojnë ushtritë e kryqëzatës së III të shoqëruara nga udhëheqësi i dinastisë serbe Nemanja Plak. Në këto rrethana këto vendbanime në Pollog me fshatrat e saj janë djegur deri në themel nga ushtria serbe e cila erdhi në këto anë për së pari herë si përcjellse e Komandantit Frederik Barbarosa, që në atë kohë ishte komandant i kryqëzatave. Ky kaloi nëpër fushën e Pollogut duke rrethuar Gradecin e lashtë, të cilin e mbajti të rrethuar për tre ditë rresht por nuk arriti ta pushton. Prej nga vazhdoi rrugën për në Kostandinopol kah Ohri.
Për lokalitet e lashta që kanë egzistuar në fushën e Pollogut flet edhe gjeografi i njohur arab i Idriz, icili në shekullin e XII i vizitoi Maqedoninë dhe fushën e Pollogut.Ky në këtë rast fshën e Pollogut e quajti Bollog.
Poashtu edhe studjuesit sllav merren me etimologjinë e fushës së Pollogut, duke e pagëzuar me emra të llojllojhëm me teza të pa definuara si duhet në aspektin shkencor. Ata mundohen që fushën e Pollogut ta spjegojnë sipas fjalorit të tyre sllav "Po-logu", (Bozhja shuma)që do të thotë vend i pasur me male apo i mbuluar me male.
Fusha e Pollogut shtrihet në Perëndim të Shkupit dhe lidhte rrugët Prizren-Tetovë-Shkup dhe rrugën e vjetër Durrës Ohër Kërçovë Gostivar-Tetovë-Shkup.
Por rruga që çonë Shkup Gostivar Dibër, kjo rrugë që kalonte rrënzë Malit të Thatë mbi grykën e Dërvendit, duke u lidhur me Gostivarin e ka shfrytzuar shpeshherë edhe Leka i Madh siç e quqnin turqit Skënderbeun. në luftra kundër turqve. Me ardhjen e turqve ata e rriparuan këtë rrugë. Për këtë arsye më vonë nga popullata e kësaj ane u pagëzua Stamboll-Xhade.
Pas rënjes së Shkupit nën sundimin turk më 6 janar të vitit 1391, sipas studiuesve bullgarë, ndërsa studiuesi i ri shqiptar Mr. Qerim Dalipi, duke bërë një studim të mirfilltë shkencor në librin e tij, "Inkursionet osmane në trevat shqiptare deri më1402", mbronë shkencërisht në mënyrë të argumentuar se Shkupi u pushtua nga ushtria osmane kah fundi i vitit 1391 dhe fillimi i vitit 1392 (më 6 janar 1392), duke u mbështetur në të dhënat e historiografisë më të re kohore.
Pas pushtimit të Shkupit edhe krahina e fushës së Pollogut me qytetet Gostivar e Tetovë, ra nën sundimin e ushtrisë osmane.
Pas rënjes së vendeve tona nën sundimin osman fillon një epokë e re e popullatës shqiptare nën adminisrtratën e Perandorisë turke. Në këto rrethana të reja politike u ndryshua në tërësi struktura e popullsisë shqiptare, duke u asimilur për turq, që flasin defteret osmane për regjistrim. Në këto dokumente turke për afërsisht deri vitin1455, Shkupi dukej kështu: me 511 familje muslimane dhe 339 familje të krishterë. ku shumica nga këta familje ishin shqiptarë të krishter, katolikë apo ortodoks.(V.XH).
Rreth vitit 1440 në Provincën e Maqedonisë dhe në disa krahina të Shqipërisë u zbatua krejtësisht sistemi timaro-spahilluk Në Shqipëri nuk ngeci asnjë lagje qyteti apo fshati pa u përfshi në njerin nga tri llojet e sundimit feudal:-has, zeamet, ose timar. Në fillim në Krahinën e Maqedonisë ishin: Pashësanxhaku, Sanxhaku i Ohrit dhe ai Qustendilit. Në gjysmën e dytë të shekullit XVI nga Pashasanxhaku u ndanë dhe u formuan dy sanxhaqe të veçuara i Selanikut dhe i Shkupit. Në kuadër të Sanxhakut të Shkupit u bashkuan nahitë e Shkupit, Tetovës, Kërçovës dhe Prilepit.
Pushtimi i tokave të Shqipërisë, fillon nga Shkupi, thotë studiuesi gjerman Peter Batrl, e cila u shoqërua me një rezistencë të fortë.
Por shumë shpejtë pas rrënjes së Shqipërisë nën sundimin osman, fillon shtimi i paknaqësisë duke u shoqërua me një varg kryengrytjesh,nga popullata shqiptare, duke filluar nga viti 1432 deri në vitet1438 nën udhëheqjen e disa feudalëve në Shqipërinë e Mesme e të Jugut.
Në vitin 1432 fillon kryengritja në Shqipërinë e Mesme e udhëhequr nga Andrej Topija, e cila u shua me gjak nga ushtria osmane. Sipas studiuesve sllav, kjo kryengritje është shtrirë edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë Perëndimore ku bënë pjesë edhe fusha e Pollogut, me qytetet Tetovë dhe Gostivar. Por më e theksuara është ajo e vitit 1440 kur Skenderbeu u emrua për drejtues (Sanxhakbej),të Dibrës me rrethinë, ku pati mundësi të kontaktojë me popullsinë e kësaj ane dhe të shohë disponimin e popullatës shqiptare për një kryengritje të përgjithshme.
Pas betejës së Nishit, Skenderbeu me 300 luftarë pas shtatë ditë rugëtimi arriti në Dibër, prej kah vazhdoi rrugën për në Krujë. Kjo ngjau më 13 nëntor 1443. Prej kësaj date fillon pavarësia e Shqipërisë dhe periudha më heroike e popupllit Shqiptar. Shënon në librin e vetë Vlladan Gjorgjeviçi. Ky armik i përbetuar i Shqipërisë e pranon Skenderbeun si komandant, por shton se ushtria e Skënderbeut përbahej nga popullata serbe, e cila në atë kohë e kishte vërshuar Shqipërinë nga të gjitha anët.Ndërsa për betejën e Nishit më 1443 nuk i përmendë fare hungarezët dhe Janosh Huniadin. Por potencon këtë betejë e fituan serbët.
Epoka e Skënderbeut në veprat e Marin Barlecit dhe të autorëve të tjerë shqiptarë bashkëkohës
Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, epopeja e shqiptarëve nën udhëheqjen e tij dhe e gjithë periudha e luftës së tyre kundër vendosjes së pushtimit osman, ndikuan fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve, në rritjen dhe në konsolidimin e vetëdijes kombëtare të tyre. Epopeja shqiptare e shek. XV frymëzoi intelektualë të shquar shqiptarë që ta përjetësonin atë në vepra historike monumentale e nga më të shquarat e kohës dhe që patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare, me të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. Themeluesi i saj u bë Marin Barleci, historian humanist i shquar i përmasave ndërkombëtare.
Për jetën e Marin Barlecit dihet pak. Ai lindi rreth fundit të viteve 50 të shek. XV ndoshta në Shkodër, qytet ky me tradita arsimore për formimin e shkollimin e klerikëve të besimit katolik. Nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë lindur në Medun (në verilindje të Podgoricës), meqenëse në burimet historike bashkëkohëse është gjetur një banor i tij me emrin familjar Barleci, mbiemër ky që deri më tani nuk është hasur te ndonjë person i tretë.
M. Barleci i përjetoi ngjarjet dramatike të Shkodrës të viteve 70 të shek. XV, qytet ky ku ai padyshim ka jetuar për vite e vite të tëra, ndaj në veprat e tij shpesh e cilëson veten shkodran. Gjatë rrethimit të parë të saj prej turqve, në vitin 1474, ai ka shkruar se ka qenë i ri dhe se ende nuk kishte arritur moshën për të rrëmbyer armët, kurse në vitin 1478, gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës, M. Barleci rrëfen se ishte rreshtuar përkrah luftëtarëve që luftuan për mbrojtjen e qytetit të tyre.
Me rënien e Shkodrës në duart e osmanëve, si shumë bashkëqytetarë, M. Barleci mori rrugët e mërgimit dhe u vendos në Itali. Këtu ai plotësoi shkollimin e vet, u bë njohës i thellë i letërsisë antike e i gjuhës latine dhe u shfaq si një intelektual humanist nga më të shquarit evropianë të kohës. Që në fund të shek. XV, M. Barleci ishte figurë e njohur në jetën kishtare të Padovës. Në një dokument të muajit janar të vitit 1497 ai përmendet si rektor i kishës parokiale të Shën Stefanit në fshatin Plovenar të dioqezës së Padovës dhe si abat në kishën Shën Justina të Padovës. Për vitin e vdekjes së M. Barlecit mungojnë njoftimet. Nëpërmjet të dhënave të tërthorta është arritur në përfundimin se ai ka vdekur më 1512.
Vepra e parë e Marin Barlecit është "Rrethimi i Shkodrës" (De obsidione Scodrensi), e botuar latinisht në Venedik më 10 janar 1504, sipas kalendarit vendas, datë që i përket vitit 1505. I mbështetur në shënimet e në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në ngjarjet që rrëfen, libri i kushtohet jetës politike e ushtarake gjatë rrethimit të dytë të Shkodrës më 1478.
Ngjarjet dramatike të Shkodrës gjatë viteve 70 kishin nxitur edhe pena të tjera të shquara që t'i pasqyronin ato. Humanisti i njohur Gjergj Merula botoi më 1474 një rrëfim prej 24 faqesh mbi zhvillimet politike dhe ushtarake në Shkodër gjatë rrethimit të parë. Kjo ngjarje si dhe rrethimi i dytë i Shkodrës, vendosja e shkodranëve në Venedik, episode nga jeta politike e këtij qyteti gjatë shekujve të mesjetës dhe lidhjet e shkodranëve me Venedikun kanë zënë vend në panegjerikun e humanistit shkodran Marin Beçikemi, të botuar më 1503 (ose më 1504) dhe që i drejtohej dukës Loredan Loredanit dhe Senatit të Republikës së Shën Markut. Edhe pse bashkëkohësi dhe bashkëqytetari i të njëjtit fat me M. Barlecin, M. Beçikemi, po ashtu si Gj. Merula, ishin humanistë me emër për kohën; veprat e tyre për ngjarjet e Shkodrës gjatë viteve 70 të shek. XV mbetën të harruara.
Këtyre ngjarjeve u bëri jehonë të gjerë nëpër Evropë vepra e Marin Barlecit "Rrethimi i Shkodrës". Deri në mesin e shek. XVII ajo njohu 17 botime në gjuhë të ndryshme, si latinisht (5), italisht (7), frëngjisht (4) dhe polonisht (1), shumica e të cilave janë botime në vëllime të përbashkëta me vepra të tjera.
Megjithëkëtë vepra që e ngriti figurën e M. Barlecit në piedestalin e pavdekësisë është pa dyshim "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut" (Historia de vita et gestis Scanderbegi), e botuar në Romë gjatë viteve 1508-1510. Deri në mesin e shek. XVIII kjo vepër njohu jo më pak se 21 botime, në disa gjuhë të Evropës, si latinisht (4), gjermanisht (4), italisht (4), katalonisht (2), portugalisht (1), polonisht (1), si dhe, nëpërmjet një përkthimi të lirë dhe adoptimi të Lavardenit, frëngjisht (4) dhe anglisht (1).
Vepra e fundit e M. Barlecit "Shkurtesë e jetës së papëve dhe të perandorëve" (Compendium vitarum pontificum et imperatorum), botuar në Romë më 1555, nuk pati ndonjë jehonë. Autorësia e tij mbi këtë vepër është e dyshimtë. Vetëm pjesa deri më 1512 e kësaj vepre i është atribuar M. Barlecit, kurse vazhdimi i saj është hartuar nga Andre Engjëlli. Ky duhet të jetë autori i vërtetë i veprës. Është pikërisht kufiri kohor ndërmjet dy pjesëve të veprës që na lejon të caktojmë 1512 si vit të vdekjes së M. Barlecit, themeluesit të historiografisë shqiptare.
Veprat e M. Barlecit "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut" dhe "Rrethimi i Shkodrës", me botimet e shumta në gjuhë të ndryshme të Evropës, dëshmojnë për nivelin e lartë me të cilin e nisi jetën e vet historiografia shqiptare.
Veprat e M. Barlecit ishin fryt i një pune të gjatë shumëvjeçare. Ato kanë vlera sa historike aq edhe letrare dhe janë shkruar me një stil të shkëlqyer prej humanisti. Për hartimin e tyre ai u mbështet në shënimet e në kujtimet e veta si dhe të pjesëmarrësve dhe të dëshmitarëve të tjerë në ngjarjet që rrëfen. Ky material autentik shumë i pasur u ka dhënë veprave të M. Barlecit vlerën e burimeve historike të dorës së parë e të pazëvendësueshme. Dëshmitë që M. Barleci mblodhi nga burimet e shumta, si një historian i mirëfilltë, i shoshiti dhe i plotësoi me literaturën, që ai gjeti, për t'i lidhur dhe shpjeguar ngjarjet. Megjithëkëtë veprat e M. Barlecit kanë një varg dobësish, që janë karakteristike në përgjithësi për historiografinë humaniste, siç është fryma panegjirike, fjalimet e sajuara që u vihen në gojë heronjve, imitimi i historianëve antikë, si p.sh. i Tit Livit etj. Por vlerat e veprave të tij, si burime historike, janë shumë më të mëdha se dobësitë e tyre. Këtë e dëshmojnë dokumentet e shek. XV, si dhe jetëshkrimi më i hershëm për Skënderbeun, i shkruar gjatë viteve 1481-1482 prej peshkopit të Ulqinit, Martin Segonit nga Novobërda. Jetëshkrimi "Tregim për Gjergj Kastriotin, i quajtur në gjuhën turke Skënderbe, d.m.th. Aleksandri i Madh" (Narrazione di Giorgio Castriotto, da i Turchi nella lingua loro chiamato Scanderbeg, cioè Alessandro Magno) është hartuar nga M. Segoni në disa faqe dhe është shfrytëzuar si dorëshkrim nga disa autorë të vjetër, bashkëkohës me autorin apo më të vonë. Ai u botua për herë të parë më 1981 nga studiuesi italian Agostin Pertusi.
Atdhedashuria e thellë, ndjenja e detyrës për të përjetësuar epopenë shqiptare të shek. XV dhe figurën legjendare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, e për t'i përdorur ato si shembull e burim frymëzimi në luftën për liri, ishin arsyet që e shtynë M. Barlecin t`i përkushtohej hartimit të veprave mbi historinë kombëtare.
Ngjarjet politike e ushtarake të Shqipërisë së shek. XV, jetën e veprimtarinë e Skënderbeut, rrethimet e Shkodrës etj., M. Barleci i pasqyroi duke ndjekur parimin e zhvillimit kronologjik të tyre. Megjithëkëtë në veprat e tij nuk mungojnë edhe digresionet për të pasqyruar e treguar psikologjinë e botës shpirtërore të shqiptarëve, legjendat e folklorin e tyre, veprimtarinë ekonomike dhe rajonet kryesore të banuara prej shqiptarëve në Ballkan etj. etj. Edhe fjalimet e shumta që janë vënë në gojë të figurave historike, ndonëse nuk janë autentike, tërthorazi pasqyrojnë realitetin historik dhe mendësitë e shqiptarëve bashkëkohës të M. Barlecit.
Veprat e M. Barlecit u bënë drejtpërdrejt ose tërthorazi burimi më i rëndësishëm nga ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë së shek. XV. Ato vazhdojnë të jenë përmendore kushtuar luftës për liri të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut.
Krahas vlerave të shumanshme burimore e letrare të veprave të veta, M. Barleci ka meritën e madhe që, bashkë me përshkrimin e portretit fizik e moral të Skënderbeut te "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut", na ka dhënë edhe një gravurë me portretin e tij. Ky portret duhet të përmbajë tiparet karakteristike të fytyrës së Heroit, sepse Barleci këtë vepër ia kushtoi nipit të Skënderbeut, Ferrant Kastriotit, dhe e hartoi në bazë të kujtimeve të bashkëluftëtarëve që ende jetonin, në mendjen e të cilëve ishin të ngulitura mirë tiparet e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Pranë portretit të Skënderbeut, në këtë vepër M. Barleci ka dhënë në një gravurë të vogël edhe portretin e vet.
Epopeja shqiptare e shek. XV u përjetësua edhe në vepra historike të tjera prej bashkëkohësve të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Njëra ndër to është vepra e Dhimitër Frëngut (1443-1525): "Komentar për punët e turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbe, princ i Epirit" (Commentario de le cose de Turchi, et del S. Georgio Scanderbeg, principe di Epyrro).
Dhimitër Frëngu lindi në qytetin e Drishtit dhe ishte kushëri i parë me familjen e njohur fisnike Engjëlli të këtij qyteti. Ai u rrit gjatë epopesë legjendare të Skënderbeut dhe u shkollua si klerik. Dh. Frëngu u lidh ngushtë me Heroin Shqiptar, e shoqëroi atë gjatë viteve 1466-1467 në udhëtimin që bëri në Romë e në Napoli. Me pushtimin e Drishtit prej osmanëve më 1478, Dh. Frëngu emigroi dhe u strehua në Itali. Ai u vendos në rajonin e Venedikut dhe për një periudhë të gjatë shërbeu si famulltar i nderuar në fshatin Brainë, pranë qytetit Trevizo, deri më 1513, kur për arsye të moshës së shtyrë ia liroi detyrën të nipit të tij, Pal Pjetër Engjëlli. Dh. Frëngu vdiq më 1523, në moshën 82 vjeç.
Veprën për jetën e Skënderbeut Dh. Frëngu e shkroi latinisht dhe në frymën e ideve humaniste të kohës. Kjo ishte një përmbledhje, me disa ndryshime të vogla e "Historisë së Skënderbeut" të M. Barlecit, gjë që dëshmon se vepra e themeluesit të hsitoriografisë shqiptare kishte pasqyruar drejt një realitet historik të njohur e të pranuar edhe nga bashkëluftëtarët e afërt të Skënderbeut, siç kishte qenë Dh. Frëngu. Pas vdekjes së këtij, veprën e përktheu italisht i nipi i autorit, Pal P. Engjëlli, dhe ajo u botua anonime për herë të parë më 1539 në Venedik. Interesimi i veçantë, që u tregua për subjektin e kësaj vepre, bëri që ajo të njihte shumë ribotime. Deri më 1679 pati 18 botime italisht, që u bënë në Venedik (me tre tituj të ndryshëm), dhe në mesin e shek. XVI u botua e përkthyer frëngjisht dhe anglisht. Një përkthim rumanisht, i bërë prej një të burgosuri rumun në Milano (1763) dhe që ruhet në dorëshkrim, dëshmon se vepra lexohej me interes edhe gjatë shek. XVIII.
Në krahasim me "Historinë e Skënderbeut" të M. Barlecit, vepra e Dh. Frëngut u përhap më shumë në Itali (sidomos në Venedik, ku u shtypën të gjitha botimet e saj italisht), sepse ishte shumë më e shkurtër, si "një libër xhepi", botimi i të cilit kërkonte shpenzime të pakta, dhe se për të u interesuan pjesëtarë të familjes Engjëlli.
Familja Engjëlli ishte nga të paktët drishtanë që arritën t'u shpëtonin masakrave osmane dhe të vendoseshin në Itali pas pushtimit më 1478 të qytetit të tyre prej osmanëve. Ata jetonin në Venedik, ku kishin zënë një pozitë të dalluar në rrethet kishtare e intelektuale të këtij qyteti dhe ishin vënë në krye të urdhrit fetar të Shën Gjergjit, të lidhur me emrin e familjes së tyre. Ashtu si te shqiptarët e tjerë të emigruar, edhe te pinjollët e familjes Engjëlli u ruajt ndër breza vetëdija kombëtare, ndjenja e atdhedashurisë dhe dëshira për t'u kthyer në Shqipëri. Ishin këto motive që nxitën pjesëtarë të kësaj familjeje të interesoheshin gjatë shek. XVI e XVII për botimin e ribotimin e veprave kushtuar epopesë shqiptare të shek. XV, si dhe të veprave të tjera për të drejtën e trashëgimisë që mëtonin se kishte familja Engjëlli në Shqipëri. Me nxitjen e interesimin e pjesëtarëve të kësaj familjeje u botuan dhe u ribotuan në Venedik e në Romë vepra të tilla, si "Komentari" i Dh. Frëngut (1539), "Shkurtesa e jetës së papëve" e Marin Barlecit (1555), "Privilegjet perandorake për familjen Engjëlli" e Françesk Malvecos (Privilegi imperiali ... a favore della Famiglia Angela, 1626) etj. si edhe "Historia e turqve" e historianit venecian Françesk Sansovinos, (Historia universale dell'origine et Imperio de Turchi, 1560), në të cilën u përfshinë dhe u ribotuan shumë herë gjatë shek. XVI e XVII "Komentari" i Dh. Frëngut dhe "Rrethimi i Shkodrës" i M. Barlecit,
Krahas përkujdesjes dhe interesimit për veprat e mësipërme, Engjëllorët botuan edhe vepra të hartuara prej tyre. Pal Pjetër Engjëlli, shumë vite më parë se ta përkthente italisht dhe ta botonte "Komentarin" e Dh. Frëngut, kishte botuar në Venedik më 1522 një broshurë latinisht të titulluar "Letër drejtuar saracenëve..." (Epistola Pavli Angeli ad Saracenos...), kurse i vëllai, Andrea Engjëlli, botoi në Romë më 1553 veprën "Gjenealogjia e perandorëve romanë dhe konstantinopolitë..." (Genealogia d'imperatori romani et constantinopolitani ...), e cila me disa ndryshime u ribotua shumë herë gjatë shek. XVI e XVII prej tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes Engjëlli. Vepra i është kushtuar kryesisht gjenealogjisë së familjes Engjëlli (duke krijuar lidhje të pavërteta të saj me familjet perandorake romake e bizantine), si dhe të familjeve të tjera fisnike shqiptare. Në tërësi veprat e Engjëllorëve kanë vlera të pakta si burime historike për njohjen e shoqërisë shqiptare të shek. XV.
Gjon Muzaka ishte anëtar i njërës prej familjeve më të njohura aristokrate shqiptare. Ashtu si anëtarë të tjerë të familjes Muzaka, ai kishte marrë pjesë aktive përkrah Skënderbeut në luftën kundër pushtuesve osmanë. Pas pushtimit prej osmanëve të kështjellave të fundit shqiptare, si shumë bashkatdhetarë të tjerë, Gj. Muzaka emigroi në Itali dhe u vendos në Napoli. Dëshira për kthimin e familjes së tij në atdhe e nxitën Gj. Muzakën të hartonte më 1510 përkujtesën "Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve" (Historia e Genealogia della casa Musachia) për t'u dhënë bijve të vet njoftime për historinë e familjes dhe për zotërimet që kishin në Shqipëri. E botuar për herë të parë më 1873, kjo përkujtesë, me të drejtë është cilësuar prej zbuluesit të saj, historianit gjerman Karl Hopf, si një "margaritar" për vlerën e veçantë që ka për njohjen e historisë mesjetare shqiptare. Në të gjenden njoftime të rëndësishme për veprimtarinë e aristokracisë shqiptare dhe për marrëdhëniet në gjirin e saj, për organizimin e administratës shtetërore të Shqipërisë gjatë shek. XV dhe formimin e shtetit të Skënderbeut, për toponiminë e shek. XV etj. Ajo dëshmon për njohuritë historike dhe nivelin kulturor relativisht të lartë që kishte pasur aristokracia laike shqiptare e shek. XV, pjesëtar i së cilës kishte qenë Gjon Muzaka.
Fryma atdhetare ka përshkuar tej e mbanë veprat historike të M. Barlecit, Dh. Frëngut dhe të autorëve të tjerë të hershëm shqiptarë. Këto vepra dëshmojnë që periudha e luftës kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe vetë figura e tij i pasuruan dukshëm traditat tona historike dhe u shndërruan në simbol të luftës për liri e pavarësi. Ato mbetën gjithnjë të gjalla dhe gjatë shekujve që pasuan shërbyen si një burim i pashtershëm frymëzimi në luftën dhe përpjekjet e shqiptarëve për mbrojtjen e interesave kombëtarë.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Hero Kombëtar i shqiptarëve (1405-17 janar 1468)
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 janar 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV - fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.
Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.
Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Ai arriti në përfundimin se, përballë një pushtuesi të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar. Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.
Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve e perspektivën e tyre, Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare. Prandaj në gjirin e koalicionit të fisnikëve shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje në raportin e forcave (që karakterizon etapën e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti), dhe që çoi në fund të viteve 50 në krijimin e një pushteti të vetëm shtetëror për të gjitha viset e lira shqiptare. Ai u bë themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar.
Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug të viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë, edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, duke i dhënë mundësi të mbijetojë e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut. Si i krishterë i rritur në ambientin mysliman, ai qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë. Respektimi i besimeve e riteve fetare ndikoi pozitivisht në procesin e bashkimit të shqiptarëve.
Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm për të përballuar agresionin osman. Duke patur të qartë se rrezikut osman mund t'i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu iu drejtua pareshtur shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët, si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit shqiptar.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës ushtarak i talentuar. Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin me vërtetësi edhe fjalët që Barleci ka vënë në gojë të Skënderbeut, se "kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe".
Në kushtet e epërsisë së theksuar të ushtrive osmane në luftëtarë e në armatime, Skënderbeu për t'i mposhtur ato i mbante në alarm të përhershëm, i shqetësonte me sulme të vogla e të papritura. U priste rrugët e furnizimit dhe, pasi i kishte futur në kurth, i godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe i shkatërronte përfundimisht. Skënderbeu zbatoi një strategji të mbrojtjes aktive sipas parimit "mbrohu duke sulmuar". Në betejat e ndryshme ai ndërthuri mjeshtërisht operacione të mëdha taktike-strategjike me tërheqje e sulme, me pusi e befasi të luftës guerile.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Edhe ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në të njëjtën kohë, komandant i talentuar dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë. Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë ushtari.
Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Këngët që shqiptarët i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet e një luftëtari me forca vigane, të pajisur me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e realitetit dhe merrte cilësitë e një figure që mishëronte aspiratat e një populli të tërë për liri e pavarësi.
Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte një rëndësi evropiane. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij Heroi, në të katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri. Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij ose që mbajnë emrin "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu".
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Hero Kombëtar i shqiptarëve (1405-17 janar 1468)
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-17 janar 1468) personifikon një epokë të tërë të historisë kombëtare të shqiptarëve, që mori emrin e tij: luftën më se njëshekullore të tyre kundër vërshimit osman (fundi i shek. XIV - fillimi i shek. XVI) për mbrojtjen e tokës, të pasurisë e të lirisë. Nën udhëheqjen e tij lufta e shqiptarëve u ngrit në një shkallë të lartë e të organizuar, shënoi një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të vendit dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare të tyre.
Figura e tij paraqet një nga ato raste, jo të shpeshta në histori, kur shtresat e ndryshme shoqërore të një kombi takohen me një personalitet të shquar, në të cilën gjejnë shprehjen e vet aspiratat e vetitë e tyre më të mira dhe që për këtë arsye bëhet simbol i bashkimit kombëtar dhe i luftës së tyre të përbashkët.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Ai e kuptoi, më qartë se kushdo tjetër, detyrën që shtronte çasti historik: nevojën e bashkimit politik si kusht kryesor për të realizuar mbrojtjen e interesave të të gjitha shtresave shoqërore, të pasura e të varfra, të kërcënuara tashmë prej pushtuesve osmanë në çështjet jetike.
Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe e luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj si dhe e organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet të lartë gjithë veprimtarinë e tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Ai arriti në përfundimin se, përballë një pushtuesi të fuqishëm, siç ishte Perandoria Osmane, shqiptarët nuk mund të arrinin në fitore, pa kapërcyer copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa bashkërendimin e mjeteve dhe të burimeve njerëzore, ekonomike, ushtarake e materiale, pa bashkërendimin e të gjitha veprimeve që zhvilloheshin në rrafsh të brendshëm e të këtyre me veprimet e ndërmarra në rrafsh ndërkombëtar. Një nga hapat e parë në këtë drejtim qe themelimi, me nismën e nën drejtimin e tij, i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës, që përbënte të parin bashkim të gjerë politik të shqiptarëve.
Duke njohur zhvillimin e ngjarjeve e perspektivën e tyre, Skënderbeu e kuptoi me kohë se nuk mund të mbrohej vendi, të çliroheshin viset e pushtuara dhe të zhdukej përfundimisht rreziku i pushtimit osman, duke qëndruar mbi bazën e Besëlidhjes Shqiptare si aleancë politike vullnetare, karakteristikë që ajo e kishte pasur në fazën e saj fillestare. Prandaj në gjirin e koalicionit të fisnikëve shqiptarë u krye dora-dorës një zhvendosje në raportin e forcave (që karakterizon etapën e dytë të veprimtarisë së Skënderbeut si burrë shteti), dhe që çoi në fund të viteve 50 në krijimin e një pushteti të vetëm shtetëror për të gjitha viset e lira shqiptare. Ai u bë themeluesi i shtetit të pavarur shqiptar.
Kujdes të veçantë Skënderbeu i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike, mbi të cilat u mbështet lufta. Duke fuqizuar mbrojtjen në brezin kufitar, në lindje e në jug të viseve të lira, ai u dha mundësi nënshtetasve të tij të zhvillonin një veprimtari ekonomike e tregtare deri diku normale. Prandaj, ashtu si më parë, edhe në këto vite vazhduan të eksportoheshin nga portet e Adriatikut drithëra e prodhime të tjera.
Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. U mbajtën kështu të gjalla dhe u forcuan më tej lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e mëtejshëm të kombit shqiptar, duke i dhënë mundësi të mbijetojë e të zhvillohet më pas në kuadrin e Perandorisë Osmane.
Procesin e bashkimit të shqiptarëve e favorizoi shumë edhe toleranca e lartë fetare e Skënderbeut. Si i krishterë i rritur në ambientin mysliman, ai qëndroi mbi dallimet fetare. Ai bashkëpunoi ngushtë dhe pa asnjë paragjykim me klerin e riteve të ndryshme dhe dërgoi si ambasadorë të tij në vendet e huaja priftërinj katolikë dhe ortodoksë. Respektimi i besimeve e riteve fetare ndikoi pozitivisht në procesin e bashkimit të shqiptarëve.
Bashkimi shpirtëror i të gjithë popullit shqiptar dhe forcimi i vetëdijes kombëtare të tij, shënonin fitoren më të madhe të epopesë së lavdishme të shek. XV dhe të tërë veprës së Skënderbeut.
Aftësitë e Skënderbeut si burrë shteti spikatën edhe në marrëdhëniet me vendet e tjera. Ai e vlerësoi drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, si kusht i nevojshëm për të përballuar agresionin osman. Duke patur të qartë se rrezikut osman mund t'i bëhej ballë me sukses vetëm me forca të bashkuara, Skënderbeu iu drejtua pareshtur shteteve evropiane dhe kërkoi pjesëmarrjen e tyre në luftën kundër armikut të përbashkët, si dhe përkrahje materiale për luftën e popullit shqiptar.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti është i pandarë nga veprimtaria e tij si udhëheqës ushtarak i talentuar. Në kushtet e pabarazisë, Skënderbeu përpunoi strategjinë dhe taktikën e tij ushtarake, në bazë të së cilës qëndronte mendimi se fitorja nuk mund të varej nga numri i ushtarëve. Këtë parim, të ndjekur prej tij, e shprehin me vërtetësi edhe fjalët që Barleci ka vënë në gojë të Skënderbeut, se "kush nuk është në gjendje ta mundë armikun me një ushtri prej 8 deri 12 mijë vetash, nuk do të mund ta bënte këtë edhe me një ushtri shumë më të madhe".
Në kushtet e epërsisë së theksuar të ushtrive osmane në luftëtarë e në armatime, Skënderbeu për t'i mposhtur ato i mbante në alarm të përhershëm, i shqetësonte me sulme të vogla e të papritura. U priste rrugët e furnizimit dhe, pasi i kishte futur në kurth, i godiste me sulme të fuqishme e të befasishme dhe i shkatërronte përfundimisht. Skënderbeu zbatoi një strategji të mbrojtjes aktive sipas parimit "mbrohu duke sulmuar". Në betejat e ndryshme ai ndërthuri mjeshtërisht operacione të mëdha taktike-strategjike me tërheqje e sulme, me pusi e befasi të luftës guerile.
Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me mbretërit e me princët evropianë të kohës. Ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre, që bazohej mbi trupat mercenare të armatosura rëndë, Skënderbeu u mbështet mbi një ushtri të armatosur lehtë, me lëvizshmëri të madhe e aftësi të lartë goditëse, të formuar kryesisht nga vullnetarë që kishin gatishmëri luftarake dhe shpirt vetëmohimi. Edhe ai vetë luftonte i pangarkuar me armatime të rënda e me krah të shpërvjelur si një ushtar i zakonshëm. Në betejë ai ishte, në të njëjtën kohë, komandant i talentuar dhe ushtar i guximshëm, që me shembullin e tij bëhej burim frymëzimi për luftëtarët shqiptarë. Edhe në jetën e përditshme Skënderbeu ishte i thjeshtë dhe kohën e kalonte kryesisht me bashkëluftëtarët e tij, duke bërë jetë ushtari.
Skënderbeu gëzonte dashurinë nga bashkëkombësit e vet, jo vetëm sa qe gjallë, por edhe pas vdekjes. Figura e tij mbeti e gjallë në ndërgjegjen e popullit shqiptar si kujtim i asaj lufte që habiti botën me fitoret e saj legjendare dhe u bë krenaria për një të kaluar, të cilën donin ta përsërisnin. Këngët që shqiptarët i thurën Skënderbeut, të cilat i këndonin me krenari edhe përpara pushtuesve, gojëdhënat e lidhura me vendet ku veproi e luftoi ai dhe me vise të tjera të banuara prej tyre, i dhanë atij tiparet e një luftëtari me forca vigane, të pajisur me trimëri të pashoqe, i cili i kalonte caqet e realitetit dhe merrte cilësitë e një figure që mishëronte aspiratat e një populli të tërë për liri e pavarësi.
Kujtimi i Skënderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati një shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte një rëndësi evropiane. Skënderbeu i detyroi të gjitha kohërat të flisnin për të.
Figura e Skënderbeut ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e ushtarakëve, të burrave të shtetit e në përgjithësi të opinionit publik evropian, të cilët kanë kërkuar të nxirrnin mësime nga përvoja luftarake e shqiptarëve, sidomos kur vendet e tyre luftonin kundër pushtuesve të huaj. Këtu e ka burimin ajo literaturë e shumëllojtë dhe shumëgjuhëshe, që i është kushtuar figurës së këtij Heroi, në të katër anët e botës. Kur vërshimi osman qëndronte si një shpatë mbi Evropën Qendrore, kur në Gadishullin e Ballkanit shpërthyen lëvizjet për çlirimin kombëtar etj., historianët, shkrimtarët e poetët e përdornin figurën e Heroit shqiptar si flamur frymëzues për mobilizimin e popujve të tyre në luftë për liri. Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve të shumta për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur monumente e buste të tij ose që mbajnë emrin "Gjergj Kastrioti - Skënderbeu".
Rëndësia e luftës antiosmane të shqiptarëve
Lufta e gjatë dhe e ashpër kundër pushtuesve osmanë ishte rrjedhojë e ndërgjegjësimit të shqiptarëve, e në radhë të parë e elitës drejtuese të tyre, për pasojat e rënda dhe shkatërrimtare që sillte pushtimi osman në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore. Ky pushtim godiste më shumë se këto, deri në asgjësimin e plotë, shtresat e larta të shoqërisë shqiptare, duke u marrë pushtetin politik, si dhe pasuritë etj. Prandaj përfaqësues të tyre e udhëhoqën me vendosmëri luftën kundër pushtuesve osmanë. Në këtë luftë morën pjesë të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, sepse pushtimi osman të gjithëve u prekte të drejtën e pronësisë, interesat ekonomikë dhe mënyrën e jetesës.
Lufta e shqiptarëve kundër pushtimit osman në jetën e përditshme zhvillohej si një luftë për mbrojtjen e pronës e të marrëdhënieve të përparuara shoqërore kundër shpronësimit, si dhe kundër formave të prapambetura të pronës feudale e të marrëdhënieve shoqërore që rridhnin prej saj. Ishte një luftë kundër dhunës, shkatërrimit e grabitjes së njerëzve e të pasurisë dhe që mbronte mënyrën e jetesës, doket, kulturën dhe besimin fetar të shqiptarëve, të cilat ishin cilësisht të ndryshme me ato të pushtuesit lindor osman. Rrjedhimisht, lufta e shqiptarëve mbronte zhvillimin dhe raportet e përparuara shoqërore kundër formave arkaike të një shoqërie feudale të prapambetur dhe tashmë të perënduar në viset shqiptare. Për të gjitha këto, në sintezë, përmbajtje themelore e luftës ishte mbrojtja e jetës së pavarur politiko-shtetërore të shqiptarëve, pra e lirisë kundër pushtimit osman të vendit.
Përballë rrjedhimeve të tilla të thella për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, periudha e sulmeve të ushtrive osmane për pushtimin e vendit dhe e qëndresë së fuqishme të shqiptarëve kundër tyre, sidomos gjatë viteve të luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të historisë së popullit shqiptar, që la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesve osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare, përpara se të vendosej mbi shqiptarët pushtimi i plotë pesëshekullor osman dhe të bëhej islamizimi masiv i tyre.
Ndjenja kombëtare, që i ka mbrojtur popujt nga asimilimi dhe zhdukja, bëri që, gjatë gjithë periudhës së gjatë pesëshekullore të pushtimit osman, shqiptarët, edhe pse do të islamizoheshin masivisht, të ruanin identitetin e tyre kombëtar pa dallime fetare. Kur e kërkoi koha, si shqiptarët katolikë e ortodoksë, ashtu dhe ata myslimanë, nuk ngurruan të ngriheshin kundër pushtimit të huaj osman dhe të qëndronin në ballë të luftës për pavarësi kombëtare. Ndjenja kombëtare, si një tregues identiteti, i ka shoqëruar popujt gjatë gjithë historisë së tyre. Edhe protagonisti kryesor, që e udhëhoqi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë, Skënderbeu, në veprimtarinë e tij politike e ushtarake, iu referua traditës së lavdishme historike të popullit të vet. Kështu, p.sh., duke iu përgjigjur plot krenari kombëtare një kundërshtari politik në Itali, Skënderbeu do t'i shkruante atij për aksionet ushtarake të epirotëve e të Pirros kundër romakëve në Itali do të përdorte si simbole të veta shtetërore elementë nga simbolet e Pirros, të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe nga mitologjia pellazge.
Idetë dhe fryma e lëvizjes humaniste evropiane, që ishte përhapur në atë kohë edhe te shqiptarët, ndikuan që lufta e tyre titanike kundër pushtimit osman dhe, sidomos, figura e Skënderbeut të çimentoheshin në vetëdijen kombëtare shqiptare dhe të materializoheshin në krijimtarinë e tyre jo vetëm nëpërmjet gojëdhënave, tregimeve e këngëve popullore, por edhe nëpërmjet veprave të para të historiografisë kombëtare, të cilat i përshkon një patos i fuqishëm patriotik, siç janë veprat e M. Barlecit, Dh. Frëngut, F. Bardhit etj.
Një tipar i rëndësishëm dallues i luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman ishte zhvillimi i saj mbi dallimet fetare. Në radhët e ushtrisë shqiptare qëndronin përkrah njëri-tjetrit luftëtarët e besimit katolik, ortodoks, si dhe shqiptari i islamizuar, siç ishte, p.sh., vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai. Besime të ndryshme fetare kishin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut, edhe familjet me të cilat lidhën krushqi Kastriotët. Krahas klerikëve katolikë, Skënderbeu dërgoi si përfaqësues të vet në shtetet italiane edhe priftërinj ortodoksë. Shembull i tolerancës fetare dhe i mirëkuptimit ndërmjet shqiptarëve me besime fetare të ndryshme ishte vetë familja e Kastriotëve. Shumica e fëmijëve të Gjon Kastriotit kishin emra ortodoksë, një djalë dhe një nip i tij (Skënderbeu dhe Hamzai) mbajtën deri në fund të jetës emra myslimanë, kurse veprimtaria politike e Kastriotëve, e sidomos e Skënderbeut, ishte e lidhur me botën katolike. Vetë Heroi Kombëtar, pasi u kthye në Shqipëri më 1443 dhe derisa vdiq, përdori emrin e dyfishtë, të kristianit dhe të myslimanit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si shprehje kjo e tolerancës fetare dhe e kujdesit të tij për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve që kishin rite fetare të ndryshme. Shqiptarët, duke përfshirë edhe shtresat e larta shoqërore, konvertonin lehtësisht besimin e tyre fetar. Balshajt, p.sh., në fund të shek. XIV u kthyen nga ortodoksë në katolikë, në përshtatje me besimin fetar të shumicës së banorëve të zotërimeve të tyre.
Pjesëmarrja masive e shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare dhe të krahinave në luftën kundër pushtuesve osmanë ndikoi shumë në zbutjen e sheshimin e dallimeve e të mosmarrëveshjeve, që mund të lindnin nga bindjet e ndryshme fetare si dhe nga përkatësia krahinore. Rrjedhimisht, një nga arritjet më të rëndësishme të luftës antiosmane ishte kompaktësimi dhe forcimi i unitetit të shqiptarëve pa dallime fetare e krahinore, duke përfshirë edhe banorët e viseve të largëta që kishin mbetur jashtë shtetit të Skënderbeut. Dëshmi e gjallë për këtë është e drejta dokesore, përballë së cilës ishin të barabartë të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga pozita shoqërore dhe besimi fetar i tyre. Dëshmi e unitetit kombëtar të shqiptarëve janë edhe legjendat, tregimet dhe këngët popullore për figurën e Skënderbeut, të cilat u ruajtën pa dallime fetare, te shqiptarët katolikë, ortodoksë e myslimanë të të gjitha viseve kombëtare, madje edhe jashtë tyre, si te arbëreshët e Italisë e të Greqisë. Këngët popullore për Skënderbeun lindën qysh në shek. XV dhe ato vijuan ndër shekujt të këndohen me krenari nga shqiptarët. Kronisti venecian Antonio Sabeliko ka shkruar në vitin 1487 se shqiptarët "me këngë solemne ... këndonin lavdinë e princit të vdekur (Skënderbeut) ashtu siç e kishin zakon të moçmit në gostitë e heronjve të mëdhenj". Në fillim të shek. XX Edit Durham rrëfen për dy krutanë që një ditë të tërë i kënduan trimëritë e Skënderbeut në një këngë të gjatë pa mbarim.
Lufta kundër pushtimit osman kaliti guximin, trimërinë dhe heroizmin masiv të shqiptarëve, i bëri ata të dalloheshin nga popujt e tjerë dhe të vlerësoheshin shumë në vendet e huaja për cilësite e vyera ushtarake. Gjatë shekujve që vijuan, nga radhët e shqiptarëve dalin shumë komandantë e udhëheqës ushtarakë të shquar që vepruan në kuadrin e Perandorisë Osmane apo edhe nëpër vende të tjera evropiane.
Gjatë viteve të luftës kundër pushtuesve osmanë u intensifikuan, si asnjëherë tjetër, lidhjet politike, ushtarake, ekonomike, fetare e kulturore të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore, lidhje që nxitën zhvillimet e brendshme në të gjitha ato fusha dhe e bënë botën shqiptare të ndihej më shumë se çdo rajon tjetër i Ballkanit si pjesë përbërëse e Evropës Perëndimore. U krijuan lidhje të ndërsjellta shpirtërore me shtetet italiane dhe me vendet e tjera të Evropës Perëndimore, sepse me luftën e tyre heroike shqiptarët i detyruan ushtritë osmane të luftonin për një periudhë shumë të gjatë në viset shqiptare dhe u bënë kështu pengesë e pakapërcyeshme për kalimin e tyre drejt Perëndimit. Lufta e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu propagandohej në vendet e Evropës Perëndimore si pjesë e luftës së tyre shpirtërore për mbrojtjen e krishterimit kundër islamizmit dhe prandaj Heroi shqiptar cilësohej në Perëndim si "luftëtar i Krishtit" (Athleta Christi). Mbështetja e vendeve të Evropës Perëndimore ishte një nxitje dhe inkurajim për luftën e shqiptarëve kundër pushtimit osman. Me luftën e tyre shqiptarët penguan për një kohë shumë të gjatë kalimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore dhe me këtë ata dhanë një ndihmesë të vyer për mbrojtjen dhe përparimin e qytetërimit evropian, e cila është vlerësuar jo vetëm nga personalitetet e shquara evropiane të asaj periudhe, por edhe gjatë shekujve që pasuan me botimin e dhjetëra veprave historike, letrare e artistike kushtuar figurës së Skënderbeut dhe epopesë shqiptare të udhëhequr prej tij. U krijua kështu një traditë e vyer e lidhjeve shpirtërore të ndërsjellta ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore.
Edhe popujt e Evropës Juglindore dhe ata fqinjë kurrë ndonjëherë nuk janë ndier më afër shqiptarëve sesa gjatë periudhës së luftës kundër pushtuesve osmanë. Lufta e Skënderbeut dhe e Huniadit kundër të njëjtit armik, krijoi lidhje të ngushta jo vetëm ndërmjet këtyre dy personaliteteve të shquara evropiane, por edhe një traditë miqësie e respekti të ndërsjelltë ndërmjet popujve të tyre. Lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi te popujt e Ballkanit që shpirtërisht të ndiheshin pranë njëri-tjetrit si kurrë ndonjëherë. Ajo i mbante të gjalla shpresat e ballkanasve për t`u çliruar nga zgjedha osmane, prandaj edhe sundimtari i fundit i Despotatit të Rashës qëndroi disa vjet në Krujë dhe u bë baxhanak me Skënderbeun. Për popujt e Ballkanit Heroi shqiptar u bë edhe si një hero popullor i tyre, prandaj ata do ta përkujtonin Skënderbeun nëpërmjet tregimeve e këngëve popullore dhe në shekujt që pasuan do t'i kushtonin figurës së tij një numër të madh veprash historike, letrare, artistike, në disa prej të cilave cilësohej me origjinë greke apo sllave, duke e paraqitur kështu si simbol të krenarisë së tyre kombëtare. Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, mbeti ndër shekuj, jo vetëm te shqiptarët, por edhe te popujt e tjerë, si një simbol i luftëtarit të lirisë dhe u shërbente si burim frymëzimi në luftën e tyre për të mbrojtur e për të fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare.
Rrjedhimet e luftës dhe të pushtimit osman në Shqipëri
Lufta më se njëshekullore e Perandorisë Osmane për pushtimin e trojeve shqiptare dhe vendosja e pushtetit osman, sollën rrjedhime të thella në të drejtat e pronësisë, në veprimtarinë ekonomiko-shoqërore, në jetën politike dhe në atë fetare-kulturore të shqiptarëve.
Veprimtaria e pavarur politiko-shoqërore e botës shqiptare ishte arritja më e rëndësishme në historinë kombëtare të shqiptarëve gjatë shekujve të mesjetës. Që në shek. XII dhe në shekujt që vijuan, deri me pushtimin osman, në viset shqiptare lindën formacione shtetërore të pavarura, të cilat ndikuan fuqishëm në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore dhe, në tërësi, për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Në kuadrin e këtyre formacioneve shtetërore lindi dhe u fuqizua aristokracia vendase dhe tradita shqiptare e drejtimit dhe e aparatit administrativ shtetëror.
Elita drejtuese shqiptare, si ajo laike ashtu edhe fetare, pati një rol të madh historik për zhvillimin e gjithanshëm të vendit. Ishte meritë e saj ndryshimi i orientimit të lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e larguar atë gjithnjë e më shumë prej Perandorisë Bizantine e vendeve të tjera fqinje e të prapambetura të Ballkanit dhe duke e afruar Shqipërinë me vendet e përparuara të Evropës Perëndimore. Lidhjet politike, tregtare-ekonomike dhe fetare-kulturore me Italinë dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore ndikuan që në të gjitha këto fusha të përshpejtoheshin ritmet e zhvillimit.
Pushtimi osman i dha fund jetës së pavarur politike e shtetërore të shqiptarëve dhe i mbylli rrugët zhvillimeve të mësipërme, ndërpreu lidhjet intensive të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore dhe i kaloi ato në drejtim të Lindjes. Këto rrjedhime negative u shfaqën në Shqipëri jo vetëm gjatë viteve të luftës, por ato vepruan fuqishëm edhe gjatë gjithë periudhës së gjatë të sundimit osman.
Pushtimi osman i tokave shqiptare u bë gradualisht, duke nisur me fundin e shek. XIV, me marrjen prej osmanëve të qendrave kryesore të viseve lindore, dhe duke vijuar në fillim të shek. XV me pushtimin e disa qyteteve e kështjellave të viseve perëndimore shqiptare. Pas këtyre pushtimeve dhe veçanërisht me periudhën e luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe deri në rënien e kështjellave në fund të viteve 70 të shek. XV, një pjesë e rëndësishme e viseve qendrore e veriore shqiptare u gjend në kushtet e një lufte të gjatë e të vazhdueshme.
Që me pushtimet e para të fundit të shek. XIV të qendrave të tilla si Nishi, Shkupi, Manastiri, Ohri, Kosturi etj., u dëmtuan rëndë marrëdhëniet dhe shkëmbimet e ndryshme ekonomike e tregtare ndërmjet viseve lindore me ato perëndimore, aq të domosdoshme e jetike për banorët e tyre. Ekspeditat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane dhe luftimet e vazhdueshme e të ashpra, që ato zhvilluan me forcat shqiptare, dëmtuan rëndë jetën ekonomike të vendit. Gjatë ekspeditave ushtarake dhe luftimeve të shumta për të dobësuar qëndresën shqiptare dhe burimet ekonomike, aq të domosdoshme për vazhdimin e saj, ushtritë osmane rrënonin të mbjellat, dëmtonin objektet ekonomike, rrëmbenin bagëtinë.
Vështirësitë e shumta ekonomike dhe zjarri i luftës detyruan me mijëra e mijëra vetë të braktisnin vendin dhe kështu bashkë me të vrarët në luftë pakësuan ndjeshëm numrin e banorëve, por edhe dëmtuan jetën ekonomike, sepse ishin nga forcat më aktive të shoqërisë shqiptare.
Në kushtet e luftës dhe të pushtimit osman, ekonomia fshatare u bë edhe më e mbyllur dhe përkohësisht i dobësoi lidhjet me qytetin, aq të domosdoshme për zhvillimin ekonomik të vendit. Qytetet shqiptare, gjatë shekujve të mesjetës kishin njohur të gjitha tiparet e zhvillimit ekonomik, shoqëror e organizativ të qyteteve të pellgut të Mesdheut, që ishte rajoni më i zhvilluar i Evropës, kurse me pushtimin osman pësuan ndryshime. Që me sulmet e para osmane filluan të largohen banorët nga qytetet dhe disa prej tyre u shndërruan në qendra të vogla administrative e ushtarake. Pjesa më e madhe e banorëve në disa qytete iu kushtuan kryesisht ekonomisë bujqësore, dobësuan lidhjet me zonat fshatare dhe thuajse i ndërprenë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare e kulturore me Evropën Perëndimore. Rrjedhimisht, qytetet shqiptare në përgjithësi u shndërruan gradualisht në qendra administrative ekonomike dhe fetare-kulturore të tipit lindor, osman. Nga qytetet nisi dhe u përhap procesi i islamizmit, i cili jo vetëm solli ndryshime të rëndësishme në besimin fetar të shqiptarëve, por edhe ndikoi dukshëm përgjithësisht në botëkuptimin e mënyrën e jetesës së tyre. Me ndryshimet e mësipërme Shqipëria nga një vend që kishte tërhequr vëmendjen e Evropës Perëndimore, gradualisht u shndërrua në një vend thuajse të harruar prej saj.
Ndonëse pushtimi osman i dha fund copëtimit politik dhe anarkisë që ekzistonte në Ballkan dhe në Shqipëri, prapambetja ekonomike që i karakterizoi vendet ballkanike më pas e kishte burimin e vet në ndryshimin në fushën e pronësisë që solli ai pushtim. E drejta feudale mbi tokën në Shqipëri, në prag të pushtimit osman, ishte në fazën e zhvilluar edhe pse aty-këtu mund të shfaqeshin mbeturina të formave arkaike të saj. Në zonat fushore të Shqipërisë kishte mbizotëruar prona e madhe feudale dhe e drejta e pakufizuar e shitblerjes së tokës. Pushtimi osman ligjërisht i dha fund kësaj forme feudale të përparuar të pronësisë mbi tokën, zhduku pronën e madhe e zotëruesit e saj, që përbënin shtresën drejtuese të vendit. Ai vendosi pronën feudale ushtarake osmane, sistemin e timarit, që në thelb ishte rivendosje e pronies bizantine, një formë pronësie që përgjithësisht ishte kapërcyer nga vetë zhvillimi i gjithanshëm i shoqërisë shqiptare. Sistemi i timarit, i vendosur dhe i mbajtur në këmbë me dhunë për shekuj të tërë, konsideronte si pronar të tokës shtetin, ua kufizoi fshatarëve pronarë deri diku të drejtat mbi tokën dhe feudalët e rinj (timarlinjtë apo spahinjtë) konsideroheshin si zotërues të një pjese të rentës feudale, por jo pronarë të tokës me të drejtën e shitblerjes së saj. Do të kalonin shekuj që në Shqipëri ligjërisht të njiheshin pronat e mëdha feudale dhe zotëruesit e tyre. Kurse në Evropën Perëndimore ndërkohë ishin shkatërruar marrëdhëniet feudale dhe atje lulëzonte prona kapitaliste. Pozicioni gjeografik periferik (në kuadrin e Perandorisë Osmane) i pjesës më të madhe të viseve shqiptare ndikoi negativisht për zhvillimin e tyre. Shqipëria u gjend kështu disa shekuj larg Evropës Perëndimore jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në fusha të tjera të veprimtarisë shoqërore.